Gjykata e Apelit prish vendimin për ish-prokurorin Aurel Zarka

Apeli prish vendimin për ish-prokurorin Aurel Zarka

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të mërkurën, më 12 nëntor, prishjen e vendimit të shkallës së parë në çështjen penale ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka. Zarka akuzohet për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në lidhje me çështjen “Toyota Auris”.

Gjykata e Apelit ka vendosur gjithashtu kthimin e çështjes në të njëjtën gjykatë, ku ajo do të shqyrtohet nga një tjetër kolegj. Ky vendim bazohet në nenet 428 dhe 429 të Kodit të Procedurës Penale, të cilat parashikojnë raste shkeljesh të dispozitave ligjore.

Aurel Zarka ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar më 20 maj për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështje penale të lidhura me dosjen “Toyota Auris”, hetuar në Tiranë, si dhe për çështje të tjera të prokurorisë që ai drejtonte. Ai ishte dënuar me 4 vjet burg, të cilat, për shkak të gjykimit të shkurtuar, u reduktuan në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Gjithashtu, iu caktua dënimi plotësues për heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.

Dosja penale ndaj Zarkës, ish-oficeres së policisë gjyqësore Eriona Daupaj, avokatit Radovan Çela dhe biznesmenit Astrit Vladi, u dërgua për gjykim në fillim të janarit. Ndërkohë, çështja u nda për të hetuar në vijim prokurorët, gjyqtarët apo funksionarët e tjerë të drejtësisë që dyshohet se kanë lehtësuar akuzat për këto dosje.

Hetimet ndaj Zarkës dhe të pandehurve të tjerë nisën bazuar në të dhënat e administruara nga aplikacionet SKY ECC. Nga katër të pandehurit, fillimisht u arrestua vetëm prokurori Zarka, ndaj të cilit u zhvillua gjykim i veçantë. Avokati Radovan Çela u vetëdorëzua disa muaj më parë, ndërsa dy të pandehurit e tjerë janë ende në arrati.

Scroll to Top