Prokurorja Sadikaj kundërshton pretendimet e ILD në KLP

Prokurorja Besiana Sadikaj kundërshton pretendimet e ILD

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë u mbyll të mërkurën seanca dëgjimore lidhur me kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë (ILD) për procedimin disiplinor ndaj prokurores së Sarandës, Besiana Sadikaj.

Inspektorja e ILD-së, Lindita Ziguri, parashtroi pretendimet për shkelje nga ana e Sadikajt të rregullave të sjelljes dhe solemnitetit në marrëdhëniet me drejtuesin dhe personelin e administratës, duke kërkuar caktimin e masës së vërejtjes publike. Sadikaj i kundërshtoi këto pretendime dhe kërkesat e ILD-së, duke i cilësuar të pabazuara dhe të padrejta.

Hetimi disiplinor ndaj prokurores Sadikaj u nis bazuar në ankesat e ish-drejtuesit të prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, i cili u shkarkua nga detyra në gusht nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Prokurorja Sadikaj gjithashtu kishte depozituar gjashtë ankesa ndaj Llahos, bazuar në të cilat KLP-ja i kishte caktuar atij dy masa disiplinore më parë.

Sipas ILD-së, Sadikaj ka kryer veprime në kundërshtim me standardet e etikës, duke u konsideruar sjellje të padenja, të pahijshme dhe pa vetëpërmbajtje, si dhe në shkelje të parimit të besimit të publikut tek drejtësia në marrëdhëniet me drejtuesin dhe personelin e administratës. ILD parashtroi se sjellja ka ndodhur në zyrën e drejtuesit, duke rrezikuar të ndiqet edhe nga magjistratët e tjerë të së njëjtës zyrë. Gjithashtu, u ngritën pretendime për kontrollin e kryer në kompjuterat e oficerëve të policisë gjyqësore. Gjatë seancave të mëparshme dëgjimore, oficerë u pyetën si dëshmitarë lidhur me mënyrën e aksesimit të kompjuterave nga prokurorja Sadikaj.

Në seancën e së mërkurës, Sadikaj parashtroi se pretendimet dhe kërkesa e ILD-së bazohen në deklarimet e ish-drejtuesit të prokurorisë dhe dy hetuesve, të cilat ajo i cilësoi si subjektive, të rreme dhe fyese. Ajo theksoi se pesë oficerë janë marrë në pyetje, ndërsa nuk di arsyen përse nuk janë pyetur edhe tre të tjerët. “Të dy ata që janë thirrur dhe janë marrë në pyetje, kanë keqintepretuar situatën e kompjuterave”, nënvizoi Sadikaj, duke sqaruar se kontrollin e ka ushtruar për shkak të një defekti teknik dhe sepse kishte mësuar se një akt që ajo vetë e kishte hartuar, ishte shfaqur pa arsye në një tjetër kompjuter. Ajo theksoi kundërthëniet në deklarimet e dëshmitarëve, ku njëri prej tyre fillimisht kishte deklaruar se kishte dijeni për arsyen e kontrollit të kompjuterit, ndërsa më pas e kishte mohuar.

Sadikaj e cilësoi të papërshtatshëm termin e inspektoreve të ILD-së, që ajo kishte hyrë në zyrën e ish-drejtuesit si “e paftuar”. Ajo pretendoi se nuk është marrë parasysh deklarimi i ish-drejtuesit, i cili i kishte thënë se nuk del me dosje nga zyra dhe ia kishte marrë dosjet e saj me forcë. Sadikaj pohoi se ato dosje ishin të sajat dhe mbanin emrin e saj.

Në vijim, ajo shpjegoi se në emailin e parë dërguar eprorit, i kishte shënuar se duhet të mbante përgjegjësi për dhunën që kishte ushtruar ndaj saj, ndërsa në të dytin, komunikimin e tij e kishte cilësuar fyes dhe denigrues. Ajo shtoi se ILD nuk ka verifikuar arsyen përse fashikujt që i janë marrë me forcë janë mbajtur aq gjatë në zyrën e ish-drejtuesit.

Pretendimi i ILD-së se sjellja e Sadikajt do të ndikojë keq në edukimin e magjistratëve të rinj, u konsiderua prej saj si një shkelje flagrante e të drejtave. Prokurorja Besiana Sadikaj pretendoi se ILD nuk ka marrë parasysh ankesat dhe shpjegimet e saj dhe kërkoi rrëzimin e kërkesës për caktimin e masës disiplinore.

Inspektorja Ziguri vërejti se aktet dhe ankesat e dorëzuara nga subjekti nuk janë objekt i këtij hetimi disiplinor dhe prandaj nuk janë përmendur, por po verifikohen në kuadër të një procedure tjetër.

Këshilli deklaroi përfundimin e seancës dëgjimore dhe u tërhoq për të marrë një vendim, i cili do të shpallet në një nga seancat e ardhshme.

Scroll to Top