**Projektligji për pronat: ASHK anulon akte të paligjshme, si zgjidhen konfliktet me investitorët**
Projektligji i ri për proceset kalimtare të pronësisë synon të zhbllokojë legalizimet që kanë mbetur pezull për vite me radhë, duke adresuar konfliktet mes investitorëve, poseduesve të njësive dhe pronarëve të truallit. Ai parashikon që procedura administrative të vijojë edhe kur palët janë përfshirë në proces gjyqësor.
Sipas draftit, në rastet e mosmarrëveshjeve për të drejtat mbi një apartament apo njësi individuale, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) nuk do të pezullojë procedurën e legalizimit. ASHK mund të miratojë legalizimin pa përcaktuar përfituesin, ndërsa pronësia do të regjistrohet më vonë, pas një vendimi gjyqësor të formës së prerë.
Relacioni që shoqëron projektligjin thekson se konfliktet mes investitorëve, poseduesve dhe pronarëve të truallit kanë qenë një nga shkaqet kryesore të zvarritjes së procedurave. “Konfliktet ndër vite midis subjekteve investitor/ndërtues dhe poseduesve kanë penguar përfundimin e procedurave të legalizimit,” thuhet në dokument. Gjithashtu, janë evidentuar raste kur procesi ka mbetur i papërfunduar thjesht sepse nuk është përcaktuar subjekti përfitues.
Drafti përcakton gjithashtu se, për njësitë me shkelje të lejes së ndërtimit, legalizimi do të kryhet në favor të poseduesve që kanë marrëdhënie kontraktore me ndërtuesin ose investitorin. Për njësitë ku nuk ekziston kontratë apo aktmarrëveshje, legalizimi bëhet në emër të subjektit ndërtues ose investitor. Nëse ky subjekt është shuar juridikisht dhe mbi njësinë nuk ka të drejta reale të regjistruara nga palë të treta, njësia do të legalizohet në favor të shtetit.
Një tjetër ndryshim me rëndësi për tregun e pasurive të paluajtshme është procedura e përshpejtuar e legalizimit. Autoriteti i zhvillimit të territorit do të mund t’i kërkojë ASHK-së përfundimin e procedurës administrative brenda 30 ditëve, në rastet kur në parcelën ku ndodhet objekti pa leje ekziston një leje zhvillimi ose ndërtimi. Projektligji parashikon që kjo procedurë të kryhet kundrejt një tarife shtesë. Kërkesa mund të bëhet si nga poseduesi që ka aplikuar për legalizim, ashtu edhe kur nuk ka një aplikim prej tij. Në rastin e dytë, ASHK kryen evidentimin në terren dhe, në përfundim, njofton autoritetin e zhvillimit të territorit për vendimin e marrë. Relacioni sqaron se tarifa për procedurën e përshpejtuar paguhet “pavarësisht nëse ndërtimi legalizohet apo jo”. Synimi është që procedura të përfundojë brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës.
Projektligji, i nxjerrë për konsultim, ndryshon ligjin nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” dhe trajton një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë:
- Legalizimet e ndërtimeve pa leje.
- Kalimi në pronësi i tokës bujqësore.
- Verifikimi i akteve të pronësisë.
- Pronat e bashkësive fetare.
- Trajtimi i objekteve pa titull.
Synimi kryesor, sipas relacionit, është “përshpejtimi i procedurave dhe eliminimi i pengesave që janë evidentuar në praktikë”, si dhe forcimi i mekanizmave të verifikimit të titujve të pronësisë. Proceset kalimtare të pronësisë synohen të përmbyllen brenda afatit ligjor, ndërsa viti 2028 është përcaktuar si afati për përfundimin e procesit të legalizimit.
Drafti forcon gjithashtu procedurat ndaj subjekteve që nuk bashkëpunojnë me Kadastrën. Nëse poseduesi i një ndërtimi pa leje pengon punonjësit e ASHK-së të kryejnë evidentimin në terren, parashikohet përjashtimi nga procesi i legalizimit. Në rast se poseduesi nuk mund të identifikohet, bëhet njoftim publik dhe, nëse pas 90 ditësh askush nuk paraqitet për të provuar posedimin, ASHK vendos moslegalizimin e objektit dhe njofton autoritetet përgjegjëse.
Ndryshimet prekin edhe mënyrën si trajtohen aktet e pronësisë që vetë ASHK i konstaton si të paligjshme. Nëse paligjshmëria konstatohet brenda afateve administrative dhe prona nuk është kaluar te të tretët, ASHK mund ta shfuqizojë ose anulojë aktin. Nëse prona është transferuar te një palë e tretë ose kanë kaluar afatet, çështja kalon për zgjidhje në gjykatë dhe vendimi i ASHK-së nuk prodhon efekt deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Projektligji krijon gjithashtu një procedurë të posaçme për pronat e bashkësive fetare, duke përfshirë objekte kulti dhe ndërtesa me funksion social, shëndetësor ose arsimor të ngritura përpara datës 10 gusht 1991, kur marrëdhënia e pronësisë nuk është rregulluar. Për tokën shtetërore në funksion të objekteve të kultit pa qëllim fitimi parashikohet kalimi pa pagesë, ndërsa kur toka është pronë e të tretëve, kompensimi bëhet sipas hartës së vlerës së pronës.
Sipas relacionit, projektligji nuk pritet të ketë efekte financiare në buxhetin e shtetit. ASHK do të jetë institucioni përgjegjës për zbatimin e procedurave të reja, ndërsa drafti parashikon që ligji të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, nëse miratohet nga Kuvendi.
