Polici i ndaluar dyshohet se ndihmoi Muçi Shaljanin të punësohej në AMP

Ndalohen dy policë, akuzohen se ndihmuan Muçi Shaljanin të punësohej në AMP

Dy punonjës policie nga Komisariati Nr. 3 në Tiranë janë ndaluar, pasi dyshohet se kanë ndihmuar shtetasin Muçi Shaljani (i njohur edhe si Sheqeri) të bëhet pjesë e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Dy efektivët, me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3, Tiranë, akuzohen për veprat penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”. Të ndaluarit janë Bruno Cara dhe Arshim Zajmi, sipas raportimit të gazetarit të Syri Tv, Klajdi Bodlli.

Njoftimi i AMP

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, pas veprimeve hetimore të kryera në vijim të ngjarjes së ndodhur pranë aeroportit “Nënë Tereza”, ka ndaluar dy punonjës policie:

  • Nënkomisar B.C., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve.
  • Inspektor A.Z., me detyrë Nd/Specialist i Policimit në Komunitet.

Të dy dyshohen për veprat penale “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Shpërdorim i detyrës”.

Këta punonjës policie dyshohet se, në bashkëpunim, kanë përpiluar “Vërtetimin e Besueshmërisë” për shtetasin M.Sh., duke mos pasqyruar të dhëna që përbëjnë shkak për cënimin e kushteve të sigurisë. Ky detyrim, i përcaktuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe ligjet që normojnë veprimtarinë e agjencive ligjzbatuese, është shkelur, duke sjellë kështu punësimin e këtij shtetasi pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Gjithashtu, nga veprimet paraprake të AMP-së në lidhje me procesin e rekrutimit të shtetasit M.Sh., u konstatuan shkelje të procedurave ligjore.

Për hetim objektiv dhe gjithpërfshirës të çështjes, praktika dokumentare i është dërguar Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si kallëzim penal, për të përcaktuar grupin hetimor dhe përgjegjësitë ligjore të personave të konstatuar në paligjshmëri.

Hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të procedurave të ndjekura dhe përfshirjen e mundshme të personave të tjerë në këtë rast.

Scroll to Top