Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga dhjetë ministra të kabinetit të tij, udhëtoi drejt kryeqytetit italian për zhvillimin e mbledhjes së parë të përbashkët mes qeverive të Shqipërisë dhe Italisë.
Sipas axhendës zyrtare, në orën 11:40 u zhvillua takimi mes kryeministrit Rama dhe homologes italiane, Giorgia Meloni, ndërsa gjysmë ore më vonë, në 12:30, nisi mbledhja e përbashkët mes dy delegacioneve qeveritare.
Pas takimeve dypalëshe, rreth orës 14:00 u parashikua ceremonia e nënshkrimit të disa marrëveshjeve dhe memorandumeve bashkëpunimi në fusha strategjike si mbrojtja, siguria, energjia, migracioni, mbrojtja civile, shëndetësia, mjedisi, si edhe zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor.
Mediat italiane raportuan se në fushën e mbrojtjes, Italia do të ofrojë mbështetje teknologjike dhe pajisje moderne, ndërsa një pjesë e infrastrukturës detare do të vendoset në territorin shqiptar, për qëllime ndërtimi dhe mirëmbajtjeje të anijeve.
Sa i përket çështjeve të migracionit, pritet krijimi i një grupi të përbashkët pune, që do të thellojë bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër emigracionit të parregullt dhe në forcimin e kapaciteteve të patrullimit detar të Shqipërisë.
Në delegacionin shqiptar morën pjesë:
- Belinda Balluku, zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë
- Elisa Spiropali, ministre për Evropën dhe Punët e Jashtme
- Besfort Lamallari, ministër i Drejtësisë
- Albana Koçiu, ministre e Punëve të Brendshme
- Pirro Vengu, ministër i Mbrojtjes
- Evis Sala, ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
- Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit
- Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit
- Sofjan Jaupaj, ministër i Mjedisit
- Adea Pirdeni, ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin
