Rubio: Askush në G7 nuk e ngriti çështjen e Venezuelës
Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi të mërkurën se asnjë nga vendet e G7-ës nuk e diskutoi çështjen e Venezuelës gjatë samitit të tyre në Kanada.
“Askush nuk foli për këtë”, u tha Rubio gazetarëve pas bisedimeve dy-ditore në Ontario.
Ai gjithashtu mohoi, duke e cilësuar si “të rremë”, një raport të CNN-së sipas të cilit Britania, një aleate e ngushtë e SHBA-së, kishte vendosur të pezullonte ndarjen e informacionit mbi vendndodhjet e anijeve të dyshuara për trafik droge. Arsyeja, sipas raportit, ishte se Britania nuk dëshironte të shihej si bashkëpunëtore në sulmet ajrore vdekjeprurëse të SHBA-së që nga fillimi i shtatorit.
Në të njëjtën kohë, kreu i diplomacisë amerikane shprehu optimizëm në lidhje me miratimin nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të një projektrezolute për forcën ndërkombëtare të stabilizimit (ISS), të cilën Uashingtoni kërkon ta vendosë në të ardhmen e afërt në Rripin e Gazës.
“Jemi optimistë (…) Kemi bërë përparim në formulimin e rezolutës dhe shpresoj se do ta finalizojmë atë shumë shpejt”, u tha Rubio gazetarëve pas takimit dy-ditor të ministrave të jashtëm të G7 në Kanada.
“Këtë javë në G7 në Kanada, po merremi me paqen dhe sigurinë globale, energjinë dhe mineralet kritike. Nën udhëheqjen e Presidentit Trump, ne vazhdojmë të përparojmë interesat e SHBA-së”, shkroi Sekretari i Shtetit i SHBA-së në një postim në X.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb”, mjafton të klikoni dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
