Qeveria gjermane arrin marrëveshje për shërbimin ushtarak, ja çfarë planifikohet
Në një zhvillim të rëndësishëm pas diskutimeve të gjata, partitë e koalicionit qeverisës në Gjermani, CDU/CSU dhe SPD, kanë arritur një marrëveshje për modelin e shërbimit ushtarak. Ky model do të ruajë karakterin kryesisht vullnetar, por do të përfshijë edhe elemente të detyrueshëm, duke reflektuar dallimet thelbësore ideologjike mes tyre.
Marrëveshja vjen pas muajsh negociatash, që kanë vijuar që nga zgjedhjet federale të vitit 2025 dhe formimi i koalicionit CDU/CSU-SPD. Sipas burimeve, të gjithë të rinjtë 18-vjeçarë do të duhet të plotësojnë një pyetësor dhe t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekësore. Kjo do të bëhet me qëllim krijimin e listave të personave të përshtatshëm për shërbim.
Në rast se numri i vullnetarëve nuk do të jetë i mjaftueshëm për të plotësuar nevojat e forcave të armatosura, nga këto lista do të zgjidhen me short individë, të cilët do të jenë të detyruar të kryejnë shërbimin.
Vendimi përfundimtar për zbatimin e këtij mekanizmi do të merret nga Bundestagu, nëse konstatohet mungesë e numrit të nevojshëm të rekrutëve vullnetarë.
Nga propozimi fillestar i ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius (SPD), është hequr elementi i “shortimit të dyfishtë”, ku vetëm të rinjtë e zgjedhur me short kalonin ekzaminimet mjekësore. Ky ndryshim e bën procesin më gjithëpërfshirës në fazën e identifikimit, duke ruajtur si prioritet vullnetarizmin, por duke pasur një mekanizëm rezervë të detyrueshëm.
Grupet parlamentare të partive qeveritare janë duke u informuar për detajet, ndërsa njoftimet zyrtare priten të bëhen publike sot.
Ky vendim vjen në një periudhë kur Gjermania po synon të forcojë Bundesëehr-in (forcat e armatosura) pas pezullimit të shërbimit të detyrueshëm në vitin 2011. Kjo nevojë bëhet më e theksuar duke pasur parasysh kërcënimet gjeopolitike nga Rusia dhe përpjekjet për të arritur objektivin e NATO-s për të shpenzuar 2% të PBB-së në mbrojtje.
Ky model i ri përbën një kompromis: SPD-ja thekson rëndësinë e forcimit të atraktivitetit të shërbimit vullnetar, ndërsa CDU/CSU-ja kërkon siguri për rekrutimin e mjaftueshëm përmes shortimit në rast mungese.
Diskutimet e mëparshme, si ato të zhvilluara në gusht dhe tetor 2025, kishin hasur në mosmarrëveshje, por tani duket se ka një përparim të dukshëm drejt një ligji të ri për shërbimin ushtarak.
