Konflikt fizik në këshillin bashkiak të Pogradecit, lirohet Kevi Muçllari
Kevi Muçllari, i riu i cili hyri me forcë në mbledhjen e këshillit bashkiak të Pogradecit dhe u përfshi në një konflikt fizik me një këshilltar, është lënë i lirë pa asnjë masë sigurie.
Muçllari, banor i Çërravës, pas vendimit të gjykatës, u shpreh para gazetarëve se nuk është kriminel dhe se nuk ka pasur si qëllim dhunimin e këshilltarit bashkiak, Engjëll Shyti.
“Së pari, falënderoj familjarët, miqtë dhe shokët, të cilët më janë gjendur pranë në këto ditë shumë të vështira. Gjykata dha vendimin që pritej. Arrestimi im u shpall i paligjshëm, sepse realisht ashtu ishte. Unë u shpreha dhe në gjykatë, unë nuk jam kriminel. Isha aty në mbrojtje të interesit të komunitetit, në mbrojtje të një kauze që ne e kemi menduar si të drejtë dhe e mendojmë si të drejtë. Nuk ishte qëllimi im që të dhunoja dikë për shkak të detyrës. Ky ishte një vendim thellësisht i padrejtë. Kam një falënderim për gjyqtarin që mori një vendim të drejtë në raport me mua. Falënderoj banorët, të cilët ishin pranë meje në këto ditë shumë të vështira, dolën dhe protestuan, sepse e kuptuan që ne po protestonim jo për të marrë diçka në këmbim, por thjesht sepse atje cenoheshin interesat tona. Ishim të prekur drejtpërdrejt, ndaj ne duhej që ta mbronim interesin tonë me argumente dhe me fakte, ashtu siç edhe ju ishit prezent. Me thënë të drejtën, sinqerisht ishin ditë shumë të vështira. Nuk e prisja kurrë se do isha i burgosur e që do përjetoja atë tmerr që do përjetoja,” deklaroi Muçllari.
Endri Çela, avokati i Kevi Muçllarit, në një prononcim për mediat, sqaroi vendimin e gjykatës:
“Sapo ka përfunduar seanca gjyqësore për vleftësimin e arrestimit dhe masës së sigurisë në ngarkim të shtetasit Kevi Muçllari. Gjykata vendosi që të vlerësohet i paligjshëm arrestimi i tij dhe të mos caktohet asnjë masë sigurimi në drejtim të tij, sepse, në vlerësimin tërësor të gjithë situatës, gjykata arriti në konkluzionin që nuk ka asnjë dyshim të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale të ‘goditjes për shkak të detyrës’, parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.
Organi i akuzës kërkoi të vlerësohej i ligjshëm arrestimi në flagrancë dhe të caktohej masa e sigurimit detyrim paraqitje. Qëndrimi ynë ishte të vlerësohej i paligjshëm arrestimi, sepse nuk ishim në kushtet e goditjes për shkak të detyrës, pasi nuk kemi goditje, por një shtytje të përbashkët me personin tjetër të përfshirë në konflikt. Së dyti, kjo nuk lidhej me detyrën, pasi ka pasur një shtytje nga personi tjetër dhe më pas ka reaguar Kevi Muçllari. Ky qëndrim e bindi dhe gjykatën, shoqëruar dhe me pamjet filmike, dhe arriti në konkluzion. Fillimisht Kevi ishte i ngarkuar dhe qëndrimi që mbajti në gjykatë ishte duke thënë: ‘Unë nuk jam kriminel. Mbajta një qëndrim që e besoj, pra kam qenë në ndihmë të banorëve dhe kërkoj falje për përdorimin e një fyerjeje në drejtim të këshilltarëve.’ Kevi nuk ka shkuar për të përdorur elementë dhune deri në momentin kur u gjet përballë një shtytjeje dhe ka reaguar i ndikuar emocionalisht për shkak të situatës së krijuar.
Do vlerësojmë situatën në vijim. Çështja nuk është pushuar pasi organi i akuzës e ka të drejtën për apelim, por deri në këtë moment procedural, ky është qëndrimi i gjykatës. Secila prej palëve mund të bëjë ankim, por ne s’do e bëjmë, pasi u vendos ajo që kërkonim.”
