Investigimi/ Proceset që “i shkurtuan jetën” Gilmando Danit
Në dokumentet e nënshkruara nga zyrtarët e drejtorisë së burgjeve, Gilmando Dani, 47 vjeç, përshkruhej si një person që nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore, i disiplinuar, me marrëdhënie të shëndetshme dhe pjesëmarrje aktive në programe kulturore e rehabilituese. Këto elementë shërbyen si bazë për uljen e dënimit të tij.
Gilmando Dani, që nga dita e arrestimit, duket se kishte një strategji të qartë, i bindur se kurrë nuk do të ndryshonte në burg. Ai u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda më 29 nëntor 2018 me 12 vjet heqje lirie, pasi hetimi gjyqësor vërtetoi se ai, së bashku me Emiljano Shullazin, Endrit Zelën dhe Edrit Qyqen, kishin kërcënuar dhe gjobitur biznesmenin Ylvi Beqja, duke i marrë pesë herë çeqe bankare dhe 23% të ish-hotelit “Vollga” në Durrës. Gilmando Dani bëri gjithçka për të rrëzuar këtë vendim.
Përmes të paktën 13 proceseve gjyqësore të hapura në gjykatat e rretheve Durrës dhe Kavajë, Gilmando Dani arriti të përfitonte ulje dënimi, duke siguruar lirinë më 6 tetor 2024. Dokumentet e siguruara nga hetimi tregojnë se 47-vjeçari qëndroi në qelinë e izolimit për 8 vite, 5 muaj e 19 ditë dhe ia kishte dalë të ulte kohën e vuajtjes së dënimit për 4 vite e 7 muaj.
Në këto dokumente, Dani përshkruhet nga autoritetet e burgjeve si një person i rehabilituar, që nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore, dhe gjatë vuajtjes së dënimit kishte krijuar marrëdhënie të shëndetshme me personelin e institucionit dhe bashkëvuajtësit. Megjithatë, një vit pas lirimit, Gilmando Dani duket se nuk kishte mbyllur llogaritë me të kaluarën. Mesditën e 11 nëntorit, plumbat u derdhën mbi makinën që ai po udhëtonte në zonën e aeroportit Nënë Tereza, në Rinas.
Dokumentat gjyqësore tregojnë se Gilmando Dani u arrestua për herë të parë në shkurt të vitit 2006 nga forcat speciale RENEA, pas një urdhri kërkimi për akuzat e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” dhe “vjedhjes”. Ai u dënua me 2 vjet e 8 muaj burgim. Në vitin 2012, ai përfundoi sërish në burg, ku u gjet fajtor për veprën penale të “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, për të cilën u dënua vetëm me një vit heqje lirie, edhe pse ligji i kohës parashikonte dënime më të ashpra.
U arrestua sërish në vitin 2016, ku u dënua me 12 vite burg për vepra penale që lidhen me gjobëvënie dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, të drejtuar nga Emiljano Shullazi. Ai u dënua për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për marrje pasurie”, kryer në formën e “grupit të strukturuar kriminal”. Grupi i Shullazit u dënua në total me 55 vite burg, ndërsa kreu i bandës, Emiljano Shullazi, mori 14 vite dhe aktualisht është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për vepra të tjera të rënda penale.
Pas arrestimit, Dani përdori të gjitha manovrat ligjore për lirimin e hershëm. Pa marrë një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ai iu drejtua gjykatave të rretheve për të përfituar ulje dënimi, kërkesa të cilat u miratuan nga drejtorët e burgjeve.
Fillimisht, Dani përfitoi një ulje dënimi prej 2 vite, 9 muaj e 23 ditë, për shkak të ligjit që llogarit kohën e paraburgimit. Menjëherë pas kësaj, Gilmando Dani iu drejtua sërish Gjykatës së Durrësit, duke kërkuar një “ulje e masës së dënimit në 500 ditë”, duke iu referuar periudhës së qëndrimit në burg nga prilli 2016 deri në dhjetor 2021. Gjykata e Durrësit e rrëzoi këtë kërkesë.
Në dokumentet gjyqësore, autoritetet e burgjeve përshkruajnë Gilmando Danin si një njeri me sjellje të mira dhe që nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore. Ai nuk u ndëshkua me masë disiplinore, ruajti komunikim të mirë me personelin dhe bashkëvuajtësit, dhe u tregua i motivuar për të respektuar etikën e komunikimit.
Megjithatë, në media është raportuar se Dani, së bashku me grupin e tij, ka qëndruar për më shumë se 1 vit në izolimin “41-BISS”, masa e cila aplikohet për të dënuar të rrezikshëm ose për persona që konsiderohen “bosë të krimit”, me qëllim ndërprerjen e çdo kontakti me organizatën jashtë burgut.
Dokumentet tregojnë se Dani mori pjesë në aktivitete rehabilituese dhe kulturore, duke u përfshirë në seanca këshillimi, si dhe në aktivitete kulturore, sportive dhe fetare. Autoritetet e drejtorisë së burgjeve të Rrogozhinës theksuan pjesëmarrjen e tij aktive dhe sjelljen e mirë.
Si rezultat i sjelljes së tij të mirë dhe pretendimit për rehabilitim, Dani përfitoi një ulje dënimi prej 80 ditësh nga Gjykata e Durrësit në vitin 2023, ndërsa një ulje tjetër prej 2 muajsh e 28 ditësh iu njoh për shkak të punës së kryer në ambientet e izolimit. Megjithatë, dokumentet tregojnë se ai nuk ka shfaqur interes për punë, por ishte i interesuar për kurset e formimit profesional, pa ndjekur programe arsimore.
Në mars të vitit 2023, Gilmando Dani iu drejtua Gjykatës së Durrësit, duke kërkuar një dënim alternativ, siç ishte qëndrimi në shtëpi për pjesën e mbetur të dënimit. Ai ligjësoi kërkesën e tij me faktin se ishte i sëmurë dhe se do të punësohej sapo të dilte nga burgu. Komisioni pranë IEVP Rrogozhinë vlerësoi sjelljen dhe qëndrimin e tij të mirë.
Megjithatë, trupi gjykues nuk gjeti prova që të vërtetonin problemet shëndetësore të Danit për të justifikuar kërkesën e tij për daljen nga burgu. Gjykata konkludoi se situata shëndetësore e tij nuk u vërtetua për të legjitimuar aplikimin, duke vendosur rrëzimin e kërkesës për lirimin me kusht.
Dokumentet tregojnë se Gilmando Dani ka vijuar betejat në shkallët e tjera të gjyqësorit, deri sa më 6 tetor 2024 ai u lirua nga burgu, pasi kishte kryer fizikisht 8 vite, 5 muaj, 19 ditë.
Historia e Gilmando Danit është ajo e një njeriu që nga fillimi duket se ishte i lidhur ngushtë me botën e errët të Tiranës së pasviteve 2000. Emri i tij shfaqet për herë të parë në dosjet e policisë më 11 shkurt 2006, kur arrestohet nga forcat RENEA, bashkë me Emiljano Shullazin. Ai u akuzua për armëmbajtje pa leje dhe kanosje në bashkëpunim. Në vitet që pasuan, Gilmando Dani u bë një figurë e njohur në qarqet kriminale të kryeqytetit, duke u parë si njeriu që “bënte punën” për Shullazin.
Ai kishte shpëtuar dy herë nga plumbat, një herë në 2011 dhe një tjetër në 2015, të dyja herët në shoqërinë e Shullazit. Më 11 nëntor 2024, fati nuk ishte në anën e tij. Jeta e Gilmando Danit përfundoi në rrugë, e shënjuar nga krimi, e mbështjellë me dokumente të rreme dhe e mbyllur nën breshërinë e plumbave në Rinas. Një histori që flet jo vetëm për dështimin e një njeriu për t’u rehabilituar, por edhe për dështimin e një sistemi që, përmes shkresave, i hapi derën e lirisë drejt vdekjes.
