Lubonja: Pse për Ramën rasti “Balluku” është ndryshe nga të tjerët
Për shkrimtarin dhe publicistin Fatos Lubonja, rasti i zv/kryeministres Belinda Balluku e ka vënë në vështirësi kryeministrin Edi Rama. Në një intervistë për News24, Lubonja u shpreh se ndryshe nga rastet e mëparshme me vartësit e tij, afera e tunelit të Llogarasë lidhet drejtpërdrejt me Ramën.
“A i duhet shqiptarëve një takim i tillë? Se Ramës i duhet. Meloni është si frymëmarrje për Ramën në këtë rast. Ndërkohë që ne kemi narkoshtetin që po del rrugëve, siç doli në Rinas apo siç ka dalë me Ballukun. Kjo është një ngjarje që e nxjerr lakuriq edhe Ramën, sepse është rasti i parë që është shumë vështirë që Rama të thotë se kanë ngrënë kumbulla pas meje. Sepse ata të tjerët janë akuzuar për gjëra që nuk lidhen drejtpërdrejt me Ramën, si inceneratori apo akuza të tjera për Beqajn, për Tahirin dikur apo Ahmetajn. Këtu kemi të bëjmë me diçka të lidhur drejtpërdrejt me Ramën. Askush nuk mund të thotë se atë kompani turke që ndërtoi spitalin për fushatë elektorale, Ramën e ka tërhequr ai për t’i dhënë ato para, jo Balluku, por marrëveshja e kapos me vartësit e saj. Ka gjetur njeriun që sapo i thua bëje këtë, ajo angazhohet. Ka gjasa që Balluku mund t’i ketë thënë: ‘Do të them se më ke dhënë urdhër ti’. Këtu nuk është problemi çfarë thotë Balluku, por çfarë thotë SPAK. Këtu është qartazi që është bërë bashkë Rama-Balluku. Unë mendoj se është detyrë e SPAK të hetojë në të gjitha planet, edhe për sigurinë e tunelit,” – tha Lubonja.
