A do të shkarkohet sërish Velia? Rama shpjegon vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen e kryebashkiakut Veliaj. Në një intervistë për ABC News, Rama theksoi se veprimi kundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, apo çdo gjykate tjetër, është i barabartë me përplasjen kokë më kokë me murin dhe hyrjen në konflikt me sistemin demokratik të zgjedhur.
“A do të bëja të njëjtën gjë? Njëqind herë! Por nuk do t’i biesim murit me kokë. Sepse të veprosh kundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese apo çdo gjykate tjetër është si të përplasësh kokën pas murit dhe praktikisht të futesh në konflikt me sistemin që ke zgjedhur. Ky është sistemi demokratik, dhe unë nuk mund të hyj në konflikt me zgjedhjen strategjike dhe historike që kam bërë, dhe që kemi bërë si PS, duke i dhënë drejtësisë pavarësinë e plotë”, deklaroi Rama.
Ai konfirmoi se Veliaj do të vazhdojë të drejtojë Bashkinë e Tiranës deri në fund të mandatit të tij, pavarësisht nga çdo rrethanë. “Nëse nuk ka mundësi për t’u shkarkuar, si do të ndodhë? Këtë e ka thënë Gjykata Kushtetuese, pra ai nuk mund të shkarkohet. Kaq, është shumë e thjeshtë. Çfarë të bëjmë? Po. Unë patjetër do të vijoj takimet me njësitë bashkiake në Tiranë”, shtoi kreu i PS.
Lidhur me garën për drejtimin e bashkisë më të madhe të vendit, Rama theksoi se kandidatja e Partisë Socialiste do të jetë Ogerta Manastirliu. Ai sqaroi se Erion Veliaj nuk mund të jetë kandidat në vitin 2027, por ka mundësi për vitin 2031.
“Ogerta Manastirliu është drejtuese politike e Tiranës, është deputete e PS dhe është kandidatja jonë. Patjetër do të jetë ajo edhe në vitin 2027. Kemi vetëm Ogertën. Tani po flasim në kushtet aktuale. Pavarësisht nëse lirohet apo jo Erioni, ai nuk mund të jetë kandidat në vitin 2027, por në 2031”, përfundoi Rama.
