Rama: Nuk kam bir politik, Veliaj mbahet padrejtësisht peng

“Nuk kam ende një bir politik të më vrasë”/ Rama: Për Veliajn ndiej keqardhje

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për ABC News, ku u shpreh rreth disa çështjeve politike dhe personale.

I pyetur për fjalimin që mbajti në funeralin e Fatos Nanos, ku përmendi se si “kishte vrarë babain politik”, Rama u pyet nëse ai vetë ka një “bir politik” që mund ta sfidojë.

“Nuk kam ende një bir politik të më sfidojë për momentin. Ku është? Nuk e di,” – u shpreh Rama.

Më pas, Rama foli për situatën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke theksuar se për të do të kishte marrë gjithnjë të njëjtin vendim për shkarkimin e tij nga detyra, pasi Tirana nuk mund të lihet pa drejtim.

“Raporti im njerëzor me Veliajn është më i fortë se ç’ka qenë më parë. Dhe kur them nga ana ime, e theksoj sepse nuk është një raport që ka komunikim të vazhdueshëm për shkak të pozicionit ku ndodhet ai. Nga ana njerëzore, përveçse ç’ka qenë më parë, është shtuar edhe një keqardhje e thellë për atë që po jeton. Nuk po shtoj asgjë më shumë, sepse nuk dua që të përdoren më pas. Për mua, padrejtësisht ai po mbahet peng në qeli dhe me ato që kam dëgjuar, ai mund të hetohej në gjendje të lirë dhe mund të drejtonte Tiranën. Në aspektin njerëzor unë ndiej keqardhje.

Në aspektin politik, ajo që thashë në asamblenë e PS dhe ajo që bëmë, do ta bëja sërish nëse kthehesha mbrapa. Pra, që Erioni të largohej nga ajo detyrë që nuk mund ta ushtronte dhe që Tirana të mos mbetej pa kokë. Të tjerat janë gjepura dhe dokrra të ekraneve politike dhe nuk i komentoj.

Shkarkimi? Është gjëja më e padrejtë që po i bëhet Tiranës. Nga njëra anë ajo mbetet pa kokë dhe nga ana tjetër, kryetari zgjedhur mbahet peng. Nga ana tjetër, nevoja e qytetit është gjithnjë e më alarmante. Kjo duket. Qyteti nuk mund të drejtohet me delegim dhe telekomandë. Urdhri i Veliajt për dekorimin. Këto janë shenjat e një anomalie të madhe. Lajmi aty duhet të ishte që nuk e paskam kapur unë Gjykatën Kushtetuese. Është e drejta e saj që të marrë vendime që i takojnë asaj t’i marrë. A do të ketë zgjedhje? Nuk mund të shkojmë kundër një vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Veliaj do të jetë kryetar bashkie deri në 2027-ën,” – tha Rama.

Scroll to Top