Vrasja Rinas: Zbulohet bashkëpunëtori i parë, arsenal armësh

Vrasja në Rinas/ Zbulohet bashkëpunëtori i parë në atentatin ndaj Gilmando Danit

Ylli Zalla është pronari i banesës ku forcat RENEA zbuluan një arsenal armësh zjarri dhe mina gjatë orëve të fundit. Zalla dyshohet të ketë qenë bashkëpunëtor në atentatin e përgjakshëm të 11 nëntorit në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë miku i tij, Muçi Shaljani. Aktualisht, dyshohet se ky shtetas ka furnizuar me armë autorët e kësaj ngjarjeje.

Burime pranë mediave bëjnë me dije se automjeti tip “Toyota”, i cili u përdor nga atentatorët ditën e ngjarjes, dyshohet të ketë dalë nga banesa e Zallës.

Në banesën në pronësi të shtetasit Ylli Zalla janë gjetur:

  • 3 kallëpë tritol.
  • Sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina).
  • 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë.
  • 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehëra dhe pjesë armësh.
  • 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
  • 2 kg e 25 gramë kanabis.

Ky shtetas nuk është një emër i panjohur për Policinë e Shtetit. Në prill të vitit 2014, ai u arrestua sërish dhe njihet në zonë si një person problematik, lidhur me përplasje me pronarët e fabrikës së çimentos, trafikun e drogës apo dërgimin e xhihadistëve në Siri.

Edhe në vitin 2011, i janë gjetur dhe sekuestruar 166 kallëpë tritoli, nga 400 gramë secila, 10 mina kundratank, qindra fishekë dhe armë.

Njoftim i plotë i Policisë:

Tiranë/ Zhvillohet operacioni policor i koduar “Tracking”, nga specialistët e Sektorit të Krimeve të Rënda të DVP Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë.

Operacioni, ende në vijim në rrethin e Krujës, zhvillohet në kuadër të punës intensive hetimore dhe operacionale, me objektiv zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së datës 11.11.2025, te rrethrrotullimi i Rinasit.

Zbulohet një banesë në fshatin Zall, Fushë Krujë, ku mbahej një arsenal armësh shpërthyese, armësh zjarri dhe municioni.

Gjatë kontrolleve, u gjetën në këtë banesë:

  • Sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina).
  • 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë.
  • 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehëra dhe pjesë armësh.
  • 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
  • 2 kg e 25 gramë Cannabis.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u shpall në kërkim pronari i banesës, shtetasi Y. Z., 48 vjeç. Punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotullimi i Rinasit.

Operacioni policor i koduar “Tracking”, vijon. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top