GJKKO urdhëron SPAK të hetojë deputetin e PD, Arjan Ndoja
Gjykata e Posaçme e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka urdhëruar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të nisë hetimet për deputetin e Partisë Demokratike (PD), Arjan Ndoja.
Vendimi është firmosur nga gjyqtari Erion Çela dhe përcakton se SPAK duhet të fillojë hetimet për ligjvënësin, i cili ka qenë edhe ish-prokuror.
Mësohet se ndaj zotit Ndoja, prej vitit 2023, ka pasur filluar një hetim pasuror dhe për pastrim parash.
Arjan Ndoja u bë deputet pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Prokuroria e Tiranës i ishte drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me kërkesë për pushimin e çështjes. Mirëpo, Gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencën dhe i është drejtuar GJKKO-së për t’u shprehur mbi këtë kërkesë.
Sot, gjyqtari Çela ka konstatuar pavlefshmërinë absolute të kërkesës për pushimin e hetimeve. Ai ka vendosur që të gjitha aktet e hetimit të kryer nga Prokuroria e Tiranës për 2 vite, t’i kalojnë SPAK-ut. Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme urdhërohet të regjistrojë procedimin penal dhe të nisë hetimet për deputetin Ndoja.
