VIDEO/ Protesta e 102-të: Një pjesë e qytetarëve bllokojnë Unazën e Vogël në Tiranë, Diaspora paralajmëron pjesëmarrje më 12 shtator
Publikuar më 09.09.2026 nga Shek
TIRANË – Vazhdon protesta e 102-të kundër qeverisë Rama dhe klasës politike. Si pjesë e tubimit, disa protestues kanë bllokuar qarkullimin në zonën e urës së madhe të Bulevardit Dëshmorët e Kombit në Unazën e Vogël, duke penguar kalimin e automjeteve.
Ndërkohë, një grup tjetër protestuesish ka vijuar marshimin drejt Kryeministrisë, ku janë mbajtur fjalime. Gjatë protestës, një aktivist ka vijuar me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, duke komentuar pretendimet e fundit lidhur me skemën e tregtimit të armëve dhe rolin e biznesmenit Ron Yeffet.
Sipas aktivistit, Rama ndodhet nën presion pas publikimit të materialeve të fundit, ndërsa ai pretendon se Yeffet është kontraktuar nga kryeministri për të kryer veprime që ai i cilëson si “punë të këqija”.
Aktivisti u ka bërë thirrje protestuesve të vijojnë qëndresën, duke u referuar edhe protestës së paralajmëruar për datën 12 shtator. Ai ka deklaruar se diaspora ka njoftuar një pjesëmarrje masive në Bulevard, duke përmendur edhe shqiptarët nga Londra.
Në fund, ai u është drejtuar shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, duke i ftuar të marrin pjesë në protestën e 12 shtatorit dhe të marshojnë drejt Kryeministrisë.
