Aleanca e Nonsensit kundër Shqiptarëve: Kritika Dhe Thirrje

Shqiptarët duhet të ngrihen kundër aleancës së nonsensit

Nuk ekziston asnjë komplot Sorosian në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër të botës. Hebrenjtë nuk e kontrollojnë botën. Po kështu, nuk ekziston asnjë komplot me anë të të cilit arabët dhe myslimanët synojnë të pushtojnë Perëndimin me lindshmëri më të lartë. Emigrantët nuk bëjnë fëmijë për të përfituar nga sistemi i kujdesit social në vendet me mirëqenie sociale. Nuk ekziston asnjë komplot gejësh për të shkatërruar kombin. Nëse kombi po tretet nga emigrimi, kjo ndodh për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit.

Korrupsioni është shkaku, ndërsa keqqeverisja është pasoja. Keqqeverisja, edhe pse po zhduk mundësinë për jetë normale në një vend normal, nuk e ka për qëllim këtë dhe nuk përbën komplot. Është thjesht një efekt anësor i etjes për pushtet.

Integrimi evropian nuk kërkon që meshkujt të përdhunohen për t’u klasifikuar si të denjë për anëtarësim. Ajo çfarë kërkohet është respekti për të drejtat e njeriut.

Eqrem Çabej nuk është tradhtar i kombit dhe vijon të jetë studiuesi më i madh i gjuhës shqipe që ka ekzistuar ndonjëherë. Pretendimet se Thott-i fliste shqip, e të tjera si këto, janë fantazi. Për të kuptuar origjinën e gjuhës shqipe, lexoni veprën “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”.

Harry Potter nuk është furnizuar me energji në Berat. Në fantazinë e J.K. Rowling, Voldemorti, në përkthimin e Amik Kasoruhos si Fluronvdekja, u fsheh në Shqipëri kur u rrëzua nga pushteti në botën paralele të magjistarëve të Anglisë. Kjo është një fantazi dhe si e tillë, nuk përbën problem, përveçse kur prezantohet si fakt.

Ekosistemi informativ në Shqipëri, i cili duhet të informojë qytetarët për çështje të rëndësishme me qëllim që ata të bëjnë vendime të arsyeshme, po helmohet çdo ditë me një recetë nonsensesh për të krijuar një situatë neurotike. Segmente të ndryshme të opozitës kanë përqafuar nonsenset e komplotit Sorosian dhe atij të gejëve kundër kombit, si zgjedhje e dëshpëruar, sidomos kur udhëheqësi i tyre 80-vjeçar nuk dëshiron të dalë në pension.

Në mungesë të një alternative reale ndaj qeverisë, me të cilën bashkëpunon rregullisht dhe bën marrëveshje, Berisha natyrisht që do të fshihet nëpër cepat e ekstremizmave për të mbajtur një grusht mbështetësish të zhurmshëm. Shumë deputetë të opozitës, duke mos denoncuar publikisht politikat e nonsensit të Berishës dhe Metës, duket se po flasin me heshtjen e tyre, duke mos dhënë deklarata absurde apo duke zgjedhur të mos marrin pjesë në votimin e ligjit “Për Barazinë Gjinore”.

Ekzistenca e një opozite që përqafon ide ekstremiste, siç është “patriotizmi është streha e fundit e batakçinjve”, nuk do të na shkaktonte kaq shumë telashe nëse nuk do të mbështetej nga segmenti i dytë i aleancës së nonsensit: një numër televizionesh. Këto media, të cilat jetojnë falë kontratave koncesionare kontroverse dhe janë skualifikuar nga skena mediatike normale (që nënkupton një media kritike me qeverinë), kanë përqafuar politikën e nonsensit si mjet të dëshpëruar për të tërhequr vëmendje.

Të qenit irreleant po i shtyn këto media pro-qeveritare të angazhohen në debate homofobike dhe të mbushin emisionet me turbofolk (muzikor dhe llafollogjik), diskutime me fallxhore, debate apokaliptike mbi fundin e familjes dhe forcat e errëta të nëntokës. Këto fenomene, të cilat nuk njihen nga shkenca, prezantohen me forcë në televizionet që pretendojnë se janë serioze, në emisione të cilat janë zbrazur nga politikanët për t’u mbushur me nonsens.

Në një televizion të tillë, ku një e ftuar pati këtë koment në lidhje me Ligjin “Për Barazinë Gjinore”: “Nuk na mbetet tjetër veçse të tredhim edhe këtë tridhjetë përqindësh të burrave që na kanë mbetur,” duke konkluduar se “vendi ka nevojë për burra të vërtetë si Ismail Qemali dhe Skënderbeu.” Komenti i saj, i cili lidh ligjin për barazi gjinore me “tredhjen e burrave”, u mbështet nga një tjetër koment, ku u hodh hipoteza se “të qenit gej është bërë modë”.

Politika e nonsensit është rrjedhojë logjike e kalcifikimit të sistemit të korrupsionit dhe ilaçi i zgjedhur nga politikanët për të shmangur debatet mbi çështje reale. Ajo lufton forcën organizative të shoqërisë përmes zëvendësimit të asaj që është politike me një sistem gjigant klientelist, me turbofolk, pseudonacionalizëm, protoshovinizëm dhe besime pseudofetare.

Në një vend ku nuk ekzistojnë plane urbanistike normale, ku shërbimi shëndetësor nuk gjendet as përkundrejt pagesës, ku rrugët janë të zëna kaps nga zhvillimi urban për interes të korrupsionit politik, është e kuptueshme që nacionalizmi primitiv, me origjinën tonë iliro-pellazge, mosekzistencën e grekëve, anglishten si gjuhë “dibrançe” dhe sidomos homofobia, islamofobia dhe gjithëfarëlloj fobish të tjera, do të jenë ushqimi bazë, zëvendësuesi për kujdesin shëndetësor të munguar dhe për rrugët që nuk të çojnë gjëkundi.

Politikanët, të cilët nuk dalin dot në asnjë studio sepse çfarëdo që të thonë bie ndesh me veprimet e tyre, po zëvendësohen në arenën kombëtare të debatit me llafollogë, nxitës të urrejtjes, fallxhorë, pseudoshkencëtarë, pseudopatriotë dhe shumë idiotë. Kjo aleancë ka bërë bashkë shumë nonsense kundër shqiptarëve, ndaj së cilës shqiptarët e arsyeshëm bëjnë mirë të organizohen dhe të përballen.

Scroll to Top