Ministri i Jashtëm danez gjen “zgjidhjen” për kritikët: Kush më ofendon në rrjetet sociale le të vijë në takim privat!
Ministri i Jashtëm danez, Lars Lokke Rasmussen, ka gjetur një mënyrë origjinale për t’u afruar me ata që e kritikojnë në internet. Rreth dy javë më parë, ish-kryeministri dhe aktualisht lider i Partisë së Moderuarëve, krijoi në Facebook një grup të veçantë për “haters-at” e tij, me titullin: “Të gjithë ne që e urrejmë Lars Lokke-n” (Alle os der hader Lars Lokke).
Mbrëmjen e kaluar, Rasmussen bëri një ftesë të hapur anëtarëve të këtij grupi për një takim ballë për ballë. Grupi numëron aktualisht rreth 440 anëtarë.
“Shkruani këtu me zell, pra le të takohemi në realitet,” shkroi ministri. “Kam gjetur një sallë dhe një tryezë. Mund të vini të më shpjegoni pse më urreni. Premtoj të dëgjoj,” shtoi ai. “Do të shohim nëse një ndryshim mendimi mund të shndërrohet në një bisedë konstruktive,” nënvizoi ministri danez.
Takimi është planifikuar për të shtunën në mbrëmje, në një ambient qendror të Kopenhagenit.
Lars Lokke Rasmussen është një nga politikanët më të njohur të Danimarkës dhe shpesh bëhet shënjestër kritikash për shkak të profilit të tij të lartë publik. Ky politikan liberal ka shërbyer si kryeministër i Danimarkës në dy mandate: nga viti 2009 deri në 2011, dhe përsëri nga 2015 deri në 2019. Që nga fundi i vitit 2022, ai mban postin e ministrit të Jashtëm në qeverinë e kryeministres socialdemokrate Mette Frederiksen.
Të martën e ardhshme do të mbahen zgjedhjet lokale në Danimarkë. Kjo është hera e parë që Partia e Moderuarëve e Lokke-s merr pjesë në zgjedhje lokale dhe rajonale që nga themelimi i saj në vitin 2022. Megjithatë, për shkak të rezultateve të ulëta në sondazhe, pritshmëritë për një sukses të konsiderueshëm janë të vogla.
