Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq 74-vjeçarin për vrasje pas një konflikti banal me djalin
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar para drejtësisë shtetasin Hekuran Gjoni, i akuzuar për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, vepër e parashikuar nga neni 70/c i Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve për procedimin penal nr. 796 të vitit 2025, është zbuluar se më 1 shkurt 2025, Hekuran Gjoni debatoi dhe konfliktoi për motive banale me djalin e tij, Asim Gjoni. Gjatë konfliktit, ai e ka goditur me mjet prerës, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse në ijën e majtë.
I pyetur lidhur me ngjarjen, Hekuran Gjoni ka shpjeguar se atë ditë, ndërsa po hanin bukë së bashku, djali nisi ta ngacmonte me fjalë. Ai u ndje keq dhe në një moment u acarua, duke i dhënë një shuplakë në fytyrë. Më pas, sipas tij, djali e kapi nga rrobat dhe i tha të mos e godiste. Në këtë moment, ndërhyri vajza, duke i thënë djalit pse po vepronte kështu me babain. Përgjigje, djali e shtyu fort vajzën, duke e rrëzuar. Ky veprim e acaroi shumë Hekuran Gjonin, i cili mori thikën e bukës nga tavolina dhe goditi një herë djalin e tij në bark (ije).
Hetimi ka zbuluar se nga këqyrja e jashtme dhe e brendshme e kufomës, u konstatua një plagë prerëse shpuese depërtuese në anën e majtë të gjoksit, e shoqëruar me çarje të mushkërisë së majtë, të cipës mbështjellëse të zemrës në anën e majtë të saj, si dhe plagë prerëse në gishtat e të dyja duarve.
Shkaku i vdekjes së Asim Gjonit është shoku i rëndë traumatiko-hemorragjik. Nga sa më sipër, janë konsumuar elementët e veprës penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal, në dëm të djalit të tij të ndjerë.
