Papunësia e të rinjve rritet 16% në Shqipëri

Të rinjtë largohen, por edhe ata që mbeten nuk gjejnë punë: papunësia e tyre rritet 16%

Shqipëria po përballet me një humbje popullsie, veçanërisht në mesin e të rinjve. Megjithatë, ky fenomen nuk po sjell lehtësim në tregun e punës. Përkundrazi, të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë një rritje dyshifrore të të papunëve në grupmoshën 15-29 vjeç gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, ndërkohë që punësimi i tyre është ulur.

Më 1 janar 2026, popullsia banuese e Shqipërisë ra në 2,335,930, rreth 27.4 mijë banorë më pak se në të njëjtën datë të vitit 2025. Kjo tkurrje është më e theksuar te moshat e reja. Midis viteve 2022 dhe janar 2026, grupmosha 15-29 vjeç u ul me 62 mijë persona, ose 13.4%. Megjithëse numri i të rinjve po bie, numri i atyre që kërkojnë punë dhe nuk e gjejnë po rritet.

Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit 2026, numri i të papunëve të moshës 15-29 vjeç arriti në 36.7 mijë, krahasuar me 31.6 mijë në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo shënon një shtesë prej mbi 5 mijë të rinjsh të papunë në harkun kohor të një viti, ose një rritje prej 16.1%. Në të njëjtën kohë, numri i të rinjve të punësuar ra nga 177.4 mijë në 170.3 mijë persona, duke shënuar një ulje prej rreth 7 mijë të punësuarsh, ose 4% më pak.

Forca e punës 15-29 vjeç, e cila përfshin të punësuarit dhe të papunët, pësoi një ulje të lehtë, nga 209 mijë në 207 mijë persona. Llogaritjet bazuar në të dhënat e INSTAT tregojnë se shkalla e papunësisë tek të rinjtë u rrit në rreth 17.7% në tremujorin e dytë të vitit 2026, nga 15.1% një vit më parë, duke shënuar një përkeqësim prej rreth 2.6 pikë përqindjeje.

Kjo tendencë te të rinjtë bie në kontrast me pjesën tjetër të tregut të punës. Numri i përgjithshëm i të papunëve në vend u ul me 4.2% në një vit, duke arritur në 104.6 mijë persona. Te grupmosha 30-64 vjeç, numri i të papunëve ra me 12.1%, ose rreth 9.2 mijë persona. Vetëm te të rinjtë, tendenca ishte në drejtim të kundërt.

Si pasojë, të rinjtë po zënë një pjesë gjithnjë e më të madhe të të papunëve në vend. Në tremujorin e dytë të vitit 2025, të rinjtë 15-29 vjeç përbënin rreth 29% të të papunëve gjithsej, ndërsa një vit më vonë, pesha e tyre u ngjit në rreth 35%.

Tregu i punës në vendin tonë nuk ka qenë historikisht irheqës për të rinjtë, por së fundmi kushtet janë vështirësuar më tej. Sistemi arsimor duket se nuk prodhon profilet që kërkojnë bizneset aktuale. Vërehet një mbiprodhim i të diplomuarve në degë tradicionale dhe një mungesë e theksuar e specialistëve në fusha teknike, teknologjike, apo zanate të specializuara që kërkohen nga sektori privat. Largimi masiv i të rinjve, veçanërisht i atyre me arsim të lartë apo aftësi të mira, krijon një paqëndrueshmëri në treg. Ndërkohë, shumë të rinj që mbeten, ose presin të largohen, ose janë në fazë tranzicioni duke kërkuar punë më të mira, por pa sukses afatgjatë.

Scroll to Top