Emergjencat: Rrebeshe shiu dhe dëborë në 5 qarqe për 3 ditë
Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU) informojnë se gjatë javës priten reshje me intensitet të lartë në të gjithë vendin, të shoqëruara me shtrëngata dhe, në disa zona, me reshje dëbore.
Ditën e Hënë, 17 Nëntor 2025:
- Reshje mesatare deri lokalisht intensive priten në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Vlorë.
- Në qarqet Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër, reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare, të shoqëruara me shtrëngata.
- Në qarqet e tjera, parashikohen reshje të dobëta.
- Intensiteti i reshjeve pritet të rritet në orët e pasdites.
Ditën e Martë, 18 Nëntor 2025:
- Reshjet do të shtohen në të gjithë territorin.
- Qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër do të përfshihen nga reshje intensive deri lokalisht shumë intensive.
- Në Lezhë priten reshje intensive.
- Në qarqet Dibër, Durrës dhe Tiranë, reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive.
- Në qarqet e tjerë, priten reshje të dobëta deri mesatare.
- Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin.
Ditën e Mërkurë, 19 Nëntor 2025:
- Parashikohen reshje me intensitet të lartë në të gjithë vendin.
- Në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, priten reshje intensive deri lokalisht shumë intensive.
- Në qarqet e tjerë, priten reshje mesatare deri intensive, të shoqëruara me shtrëngata.
Ditën e Enjte, 20 Nëntor 2025:
- Pritet ulje e intensitetit të reshjeve.
- Në qarqet Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër, reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare.
- Në qarqet e tjerë, priten reshje të dobëta.
Reshje dëbore dhe ngrica
Në zonat mbi 400 metra lartësi në Veri, Lindje dhe Juglindje, reshjet do të jenë në formë dëbore, duke krijuar mundësi për ngrica dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Sipas parashikimeve hidrometeorologjike, në basenin e lumit Drin, reshjet e pritshme arrijnë deri në:
- Fierzë: 150–200 mm
- Koman – Vau i Dejës: deri në 300 mm
Ministria e Mbrojtjes, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, u kërkon të gjitha strukturave vendore dhe qendrore të:
- Marrin masa parandaluese për shmangien e përmbytjeve.
- Jenë në gatishmëri të plotë për reagim të menjëhershëm.
- Sigurojnë koordinim të ngushtë ndërinstitucional për menaxhimin e situatave emergjente.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar rritjen e gatishmërisë së bashkive në nivelin maksimal, në përputhje me parashikimet e motit dhe rrezikun e shtuar të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dherave.
Strukturat e emergjencave civile do të përditësojnë publikun vazhdimisht mbi situatën në terren dhe mbi çdo zhvillim të ri që lidhet me motin dhe nivelin e riskut.
Qytetarët e zonave të prekura ftohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kësaj periudhe me reshje intensive.
