Vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani: Kërkesë 25 vite burg

Prokuroria e Tiranës kërkon 25 vite burg për autorin e vrasjes së Martin Canit.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 25 vite burg për personin përgjegjës për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, ngjarje e ndodhur rreth një vit më parë pranë shkollës nga një bashkëmoshatari i tij, Marjo Përlleshaj.

Në datën 14 korrik të këtij viti, u zhvillua një seancë gjyqësore në Gjykatën e Tiranës për adoleshentin Marjo Përlleshaj. Fillimisht, Përlleshaj ka mohuar të ketë qenë autori i goditjes me thikë ndaj Martin Canit. Më vonë, gjatë seancës së 14 korrikut, ai deklaroi se nuk kishte pasur thikë me vete dhe se e ka gjetur atë në rrugë.

Ky rast ka lënë shumë pikëpyetje të hapura për punën e policisë dhe prokurorisë, pasi ende nuk është sqaruar nëse ka pasur persona të tjerë të përfshirë në këtë sulm. Versioni zyrtar i paraqitur nga Policia është konsideruar si “një skenë e pabesueshme” nga dëshmitarë okularë, të cilët kanë treguar se në momentin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm edhe persona të tjerë të armatosur me thika. Madje, një nga të mbijetuarit e përleshjes, shoku i viktimës, ka deklaruar se ai është goditur nga një person ndërsa ecte, nga pas. Ndërkohë, policia ka deklaruar se i akuzuari kryesor, Mario Përlleshaj, ndodhej në tokë.

Pritet që të merren dëshmi të tjera në kuadër të procesit gjyqësor, i cili po zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe moshës së të pandehurit.

Seanca Gjyqësore

Sipas të dhënave zyrtare, i mituri i dyshuar për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani (i cili në datën e ngjarjes rezulton të ketë qenë 17-vjeç), ka dëshmuar për herë të parë në Gjykatën e Tiranës, në prani të një psikologu. Procesi ndaj tij u zhvillua me dyer të mbyllura.

Gjatë dëshmisë së kërkuar nga prokuroria, i mituri shmangu shumicën e përgjigjeve. Ai u shpreh se nuk e kujtonte momentin e goditjes fatale me thikë ndaj bashkëmoshatarit të tij, si dhe numrin e personave të përfshirë në përleshje. I dyshuari deklaroi se në datën e ngjarjes nuk kishte pasur thikë me vete dhe se mjetin prerës e ka gjetur në rrugë.

Ai pranoi se shkak i konfliktit me Martin Canin, nxënës në të njëjtën shkollë, “Fan Noli”, ishin debatet që kishin pasur tre ditë para ngjarjes. Para gjykatës, i mituri pretendoi se ishte goditur me grushte nga Martin Cani. Sipas tij, viktima i kishte dërguar një ftesë në “Snapchat”, ku edhe kishin vijuar debatet. Autori i dyshuar pretendon se ishte rënë dakord të sqaroheshin të hënën, ditën kur ndodhi vrasja, në një rrugicë pranë shkollës.

Tre ditë para se të vritej gjatë një sherri pas përfundimit të mësimit, Martin Cani dhe i dyshuari kishin pasur një konflikt brenda shkollës, i cili duket se u mbyll pa pasoja, por edhe u neglizhua nga oficerja e sigurisë së shkollës, duke mos u raportuar në drejtori apo te prindërit e fëmijëve.

Skena tragjike ndodhi pas mësimit. Ata u takuan jo shumë larg shkollës, ku nisi një sherr që përfundoi me vrasjen e Martin Canit, plagosjen e shokut të tij dhe vetëplagosjen e autorit me thikën e tij. Pas ngjarjes, autori hodhi çantën me thikën në një ndërtesë të vjetër. Kjo çantë u gjet disa ditë më vonë dhe ekspertiza mjeko-ligjore nxori se me të njëjtën thikë ishte goditur viktima dhe personi i plagosur.

Scroll to Top