## “Paqe Fiskale”: Qeveria Përgatitet të Falë Miliarda Lekë Borxhe ndaj Tatimeve dhe Doganave
Qeveria shqiptare po planifikon të falë detyrimet e prapambetura të tatimpaguesve ndaj administratës tatimore dhe doganore, duke krijuar një marrëveshje “paqeje” për vetdeklarimet. Kjo nismë, e quajtur “Paqe Fiskale”, parashikohet në ligjet financiare që shoqërojnë projektbuxhetin për vitin 2026.
“Paqja Fiskale” do të realizohet përmes dy projektligjeve: “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë” dhe “Për marrëveshjen e Paqes Fiskale”.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve dhe Administratës Publike, theksoi se ky proces nuk është “amnistia fiskale”. Ai sqaroi se me anë të “Paqes Fiskale” nuk falen përgjegjësi penale dhe nuk garantohet askush që është nën hetim apo procese gjyqësore. Synimi kryesor është mbyllja e kapitullit të borxheve të vjetra, të parashkruara.
Marrëveshja e paqes fiskale do të jetë vullnetare dhe do të jetë në fuqi nga viti 2026 deri në 2028. Sipas ministrit, ajo synon “korrigjimin dhe rritjen e deklarimeve të rregullta të bizneseve dhe parashikon përshkallëzim në ulje të normave tatimore”.
Ndërkohë që përgatitet “paqja”, administrata tatimore vijon mbledhjen e detyrimeve me forcë, duke përfshirë masa si konfiskime, bllokime të llogarive bankare dhe shitje të aseteve.
Fshirja e plotë e detyrimeve do të aplikohet vetëm për borxhet mbi 10 vite të papaguara. Për detyrimet nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026. Kush paguan 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026, me këste mujore, do t’i fshihet automatikisht 25% e mbetur. Gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse do të fshihen plotësisht për të gjitha kategoritë.
Ministri sqaroi se detyrimet e papaguara mbi 10 vite përbëjnë 20% të borxhit total, ndërsa ato nga 5 deri në 10 vite arrijnë gati gjysmën e borxhit, pra 45% të totalit.
Relacioni i projektligjit tregon se deri në dhjetor 2024, rezultojnë 202,387 tatimpagues debitorë me detyrime tatimore të papaguara, në shumën 162 miliardë lekë. Të dhënat qeveritare evidentojnë se detyrimet tatimore të papaguara mbi 10 vjet janë 29.6 miliardë lekë, nga 5 deri në 10 vjet janë 75.1 miliardë lekë dhe nga 0 deri në 5 vjet janë 57.8 miliardë lekë.
Sipas relacionit, falja nuk do të përfshijë detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Për këto kontribute, parashikohet vetëm fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave të krijuara deri më 31 dhjetor 2014.
Deputetët e opozitës kanë ngritur pikëpyetje mbi përfshirjen e rasteve në procese gjyqësore në këtë falje dhe kanë kritikuar qasjen e qeverisë ndaj biznesit të vogël. Deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, ka deklaruar se “Qeveria e ka pasur paqen fiskale me biznesin e madh sepse pa taksa janë ata që kanë kazino apo kanë jahte, por këto gjoba janë akumuluar me tregtarët e vegjël”. Ai pretendon se në 202 mijë tatimpagues nuk ka tatimpagues të mëdhenj dhe se në fakt po falen “gjobat arbitrare”.