Balluku siguron veriun: Nuk do hapim portat e hidrocentralit
Zëvendësministrja e Kryeministrit duket sikur asgjë nuk ka ndodhur. Edhe pse është e pandehur nga SPAK për aferën e tunelit të Llogarasë, Belinda Balluku vijon inspektimet si normalisht. Deri më tani, duket se Edi Rama, ky “admirues” i reformës në drejtësi dhe institucioneve të pavarura, nuk ka në plan ta largojë nga qeveria. Ose jemi në kushtet kur mbrojtja ndaj saj është vetëm e përkohshme. Mbetet për t’u parë.
Sot, Balluku ishte në hidrocentralin e Komanit. Ajo tha se të gjitha strukturat janë në gatishmëri për monitorimin dhe menaxhimin e situatës, ku si pasojë e reshjeve intensive janë shtuar ndjeshëm prurjet në kaskadë. Balluku u shpreh se nuk pritet të hapen portat e hidrocentralit.
Ajo theksoi se KESH-i ka punuar që prej datës 11 nëntor për të liruar volumin e ujit dhe se në liqenin e Komanit, atë të Vaut të Dejës dhe Fierzës ka ende mundësi për të akumuluar.
“Ne jemi të përgatitur. Çfarë është e rëndësishme dhe çfarë duhet t’u themi të gjithë njerëzve: nuk parashikohet hapja e portave, sepse ky është problemi kryesor dhe shpeshherë abuzohet edhe me lajmin. Në rastin e përmbytjes së Nënshkodrës flitet për hapjen e portave. Ne po e bëjmë me dije që i kemi kapacitetet dhe volumin pasi kemi punuar nga data 11 nëntor për të liruar volumin. Kemi rreth 4.5 metra mundësi për të akumuluar në liqenin e Vaut të Dejës dhe rreth 7 metra në liqenin e Komanit. Ndërkohë që të pesë agregatet e Vaut të Dejës janë në funksion dhe katër agregatet e Komanit janë në funksion. Fierza qëndron e mbyllur për të akumuluar sa më shumë dhe për të rritur nivelin e liqenit”, tha Balluku.
