Situatë e rëndë në Dibër: Stuhi, bllokim rrugësh, mungesë energjie

Reshje të dendura shiu dhe stuhi, situatë problematike në Dibër

Qarku i Dibrës vijon të jetë në një situatë problematike për shkak të reshjeve të dendura. Gjatë natës së kaluar, reshjet dhe stuhitë kanë shkaktuar probleme në rrugën nacionale Skuraj–Burrel. Më serioze kanë qenë situatat në zonën e Shkopetit, ku rruga ka qenë e bllokuar për më shumë se tre orë, pasi materiale dhe gurë janë rrëzuar nga shpati i malit. Punonjësit e firmës kanë punuar gjatë gjithë natës për të pastruar rrugën nga këto materiale.

Janë raportuar probleme edhe në rrugët rurale të Qarkut të Dibrës, ku ka pasur rrëshqitje dheu rrugë të bllokuara. Gjithashtu, disa njësi të qarkut, si Baz dhe Ulëz, kanë përjetuar mungesë të energjisë elektrike.

Pritet të mblidhet Shtabi i Emergjencave pranë prefekturës për të shkuar në terren dhe për të monitoruar situatën. Aktualisht, reshjet e shiut janë në formë cikloni, duke shkaktuar daljen nga shtrati të lumenjve dhe përrenjve, të cilët kanë përmbysur banesa dhe tokë bujqësore.

Scroll to Top