Tatimet rikujtojnë afatin për faljen e detyrimeve: 31 dhjetori dita e fundit për pagesat
Administrata Tatimore u ka bërë një rikujtesë tatimpaguesve lidhur me afatet për përfitimin nga falja me kusht e detyrimeve tatimore, në zbatim të ligjit nr. 86/2025.
Për detyrimet e periudhës 2015–2019, tatimpaguesit kanë mundësi të përfitojnë nga falja. Nëse paguhet 75% e principalit deri më 31 dhjetor 2026, do të fshihet 25% e mbetur. Në rast pagese të 50% të principalit deri më 30 qershor 2026, do të fshihet 50% tjetër. Në të dyja këto skema, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.
Për detyrimet e periudhës 2020–2024, principalit nuk i falet. Megjithatë, nëse paguhet 100% e principalit deri më 31 dhjetor 2026, do të fshihen gjobat dhe kamatëvonesat.
Një tjetër afat i rëndësishëm është 30 nëntori 2026. Deri në këtë datë, tatimpaguesit që janë në proces ankimi administrativ ose gjyqësor duhet të paraqesin aktin e heqjes dorë nga ankimi, padia ose rekursi, nëse duan të përfitojnë nga skema.
Qëllimi i faljes së detyrimeve
Ligji për faljen e detyrimeve tatimore, i hyrë në fuqi në vitin 2026, synon të pastrojë një pjesë të stokut të vjetër të borxhit tatimor, të rrisë arkëtimet dhe të lehtësojë barrën e detyrimeve të akumuluara për bizneset dhe tatimpaguesit.
Ligji nr. 86/2025 parashikon fshirjen ose shuarjen e një pjese të detyrimeve tatimore të papaguara, si dhe të gjobave e kamatëvonesave, me kushte të ndryshme në varësi të periudhës së detyrimit.
Për detyrimet e krijuara deri më 31 dhjetor 2014, parashikohet fshirja e plotë e detyrimeve tatimore, së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat. Përjashtim bëjnë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për të cilat nuk fshihet principali.
Ligji parashikon gjithashtu fshirje ose shuarje për kategori të caktuara detyrimesh dhe gjobash. Për tatimpaguesit që kanë ankime administrative ose procese gjyqësore, përfitimi nga skema lidhet me heqjen dorë nga këto procedura, akti përkatës i të cilit duhet të paraqitet deri më 30 nëntor 2026.
Skema nuk zbatohet për kategoritë e përcaktuara në ligj që lidhen me vepra penale tatimore ose doganore, procese të caktuara gjyqësore dhe raste të tjera të përjashtuara shprehimisht.
