Moti i keq/ Rrugë të bllokuara dhe mungesë energjie në disa zona
Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detajet e fundit lidhur me situatën në vend, si pasojë e reshjeve intensive dhe motit të keq. Sipas ministrisë, gjatë natës, të gjitha strukturat vendore dhe ekipet operacionale kanë vijuar punën në terren për normalizimin e situatës në zonat e prekura nga moti i keq, duke u siguruar akset rrugore dhe duke rikthyer energjinë elektrike.
SITUATA SIPAS QARQEVE
Qarku Lezhë
- Vijon puna për normalizimin e situatës në fshatrat Gjorm, Zhejë dhe Fushë Mamurras në njësinë administrative Mamurras, bashkia Kurbin.
- Rruga në fshatin Shpërtheth mbetet e dëmtuar nga ujërat e lumit Droje, por po punohet nga forcat në terren.
- Gjithashtu po vijon puna për sigurimin e kalueshmërisë në segmentin rrugor Skuraj–Gallatë, njësia administrative Milot.
- Po punohet edhe në njësinë administrative Kaçinar, ku ura në fshatin Shpërdhezë u dëmtua nga reshjet me intensitet.
Qarku Durrës
- Situata në njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe Ishëm është drejt normalizimit, pasi ujërat janë tërhequr nga zonat e prekura.
- Niveli i ujit në lumenjtë Erzen dhe Ishëm është brenda kuotave normale.
- Hidrovorët në Porto Romano dhe Hamallaj vijojnë punën me kapacitet të plotë.
Qarku Kukës
- Të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme.
Qarku Shkodër
- Është zhbllokuar segmenti rrugor Theth–Ndërlysaj në njësinë administrative Shalë.
- Mbetet i bllokuar segmenti Ndërlysaj–Breg-Lumi, ku punimet do të vijojnë gjatë ditës së sotme.
Qarku Gjirokastër
- Aksi rrugor Sofratikë–Libohovë është kthyer në normalitet.
- Aktualisht ka prani të shtuar ujërash në segmentin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, në urën e Kardhiqit dhe në rrethrrotullimin e urës së lumit në qytetin e Gjirokastrës.
Qarku Elbasan
- Vijojnë punimet për pastrimin e inerteve në segmentin rrugor Elbasan–Peqin, në vendin e quajtur “Murraç”, si dhe në segmentin Elbasan–Librazhd.
Qarku Korçë
- Në fshatin Sanjollas, njësia administrative Barmash, bashkia Kolonjë, situata është normalizuar falë zhbllokimit të tombinove dhe pastrimit të inerteve, duke u shmangur rreziku për banesat.
SITUATA ENERGJETIKE
Ekipet e OSHEE po vijojnë punën për rikthimin e furnizimit me energji në:
- Fshatrat Skuraj, Vinjollë dhe Gallatë, në qarkun e Lezhës.
- Njësitë administrative Topojan, Shishtavec, Zapod, Bytyç dhe Lekbibaj në qarkun e Kukësit.
- Njësitë administrative Hajmel dhe Vig–Mnelë (bashkia Vau-Dejës), si dhe në Iballë dhe Qafë-Mali (bashkia Fushë-Arrëz) në qarkun e Shkodrës.
- Në zonën Maricaj, Memaliaj, në qarkun e Gjirokastrës.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile mbeten në gatishmëri të plotë dhe në kontakt të pandërprerë me strukturat vendore dhe ekipet e emergjencave, për marrjen e masave në rast të përkeqësimit të kushteve atmosferike.
