Përmbytje në Mirditë, bllokohen rreth 10 fshatra
Reshjet e dendura në Mirditë kanë sjellë fryrjen e përrenjve malorë, duke shkaktuar dëmtimin e urave dhe rrugëve, si dhe izolimin e rreth 10 fshatrave. Situata më e vështirë paraqitet në Jezull, ku banorët janë bllokuar pas shembjes së urës kryesore.
Kryebashkiaku Albert Melyshi dhe prefekti Taulant Malshi inspektuan zonën dhe theksuan se dëmet janë të mëdha dhe tej kapaciteteve të bashkisë. Për këtë arsye, kërkohet ndihmë urgjente nga strukturat qendrore.
Edhe deputeti Gjin Gjoni kërkoi rritje të fondeve për emergjencat civile në kuadër të buxhetit.
Përveç dëmeve rrugore, situata mbetet kritike edhe për ujësjellësin e qytetit, pasi përroi i Tarazhit rrezikon tubacionet kryesore.
Në një mbledhje të posaçme, u vendos gatishmëria e plotë për ndërhyrje në zonat e izoluara, duke u dhënë përparësi sigurisë së banorëve.
