Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka vendosur të mërkurën, më 19 nëntor, të lërë në fuqi shkarkimin e prokurorit të Lezhës, Bardhyl Shehu.
Vendimi është marrë në mënyrë unanime nga trupi gjykues i Kolegjit, i kryesuar nga gjyqtarja Albana Shtylla, me relatore Mimoza Tasin dhe anëtarë gjyqtarët Sokol Çomo, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz.Ky vendim erdhi pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të prokurorit Shehu kundër vendimmarrjes së Komisionit.
Vendimi i KPA-së është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
Prokurori Bardhyl Shehu ishte shkarkuar nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 10 gusht 2023, për probleme të konstatuara në lidhje me kriterin e pasurisë dhe për cënimin e besimit të publikut tek drejtësia.
Bardhyl Shehu e ka filluar karrierën e tij në vitin 1985 dhe ka punuar për gati dy dekada si oficer i Policisë Gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2005 dhe ka punuar në Prokurorinë e Kurbinit. Pas miratimit të hartës së re gjyqësore dhe deri në momentin e shkarkimit nga detyra, Shehu e ka ushtruar funksionin e tij në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.