Remitancat Shqipëri: Rritja e dytë më e lartë në Rajon

IFAD: Remitancat janë dyfishuar në një dekadë, Shqipëria me rritjen e dytë më të lartë në Rajon

Remitancat në ekonominë shqiptare janë pothuajse dyfishuar në dekadën e fundit. Sipas një raporti të IFAD (Fondi Ndërkombëtar për Zhvillimin Bujqësor), në periudhën 2016-2025 remitancat në Shqipëri, të shprehura në dollarë amerikanë (USD), janë rritur me 96%. Kjo është shkalla e dytë më e lartë e rritjes në rajonin e Ballkanit Perëndimor, pas Serbisë, ku rritja për të njëjtën periudhë ka qenë në masën 105%.

Në vijim renditet Bosnje-Hercegovina me një rritje prej 89%, Mali i Zi me 87%, ndërsa Maqedonia e Veriut ka pasur një rritje më të ulët, prej 48% në harkun e një dekade.

Sipas shifrave të IFAD, për vitin 2025 vlera totale e remitancave në Shqipëri pritet të arrijë në 2.56 miliardë USD. Me këtë shifër, Shqipëria renditet e treta në rajon, pas Serbisë (6.56 miliardë USD) dhe Bosnje-Hercegovinës (3.49 miliardë USD). Mali i Zi pritet të ketë 897 milionë USD dhe Maqedonia e Veriut, 468 milionë USD.

Në përgjithësi, studimet krahasuese përfshijnë te remitancat edhe të ardhurat nga puna jashtë vendit. Vendi ynë vlerësohet se ka një peshë të konsiderueshme të remitancave në ekonomi, me 8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Megjithatë, ky raport është më i ulët se ai i Bosnje-Hercegovinës (11%) dhe Malit të Zi (10%). Shqipëria është para Serbisë, ku remitancat zënë 7% të PBB-së, dhe Maqedonisë së Veriut, ku ato përbëjnë 2%.

Shqipëria gjithashtu ndodhet në mesin e renditjes edhe për peshën e remitancave ndaj totalit të eksporteve në ekonomi. Remitancat në Shqipëri përbëjnë 23% të eksporteve, duke u renditur pas Bosnje-Hercegovinës (26%) dhe Malit të Zi (24%).

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se remitancat në Shqipëri po vijojnë të rriten edhe këtë vit. Në gjashtëmujorin e parë të vitit, emigrantët dërguan në Shqipëri 621 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 16.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shifrat e këtij viti shënuan njëkohësisht një rekord të ri historik. Rritja më e lartë u shënua në tremujorin e dytë, me prurjet që arritën në 347 milionë euro, një zgjerim prej 24% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas raportit, remitancat mbeten një burim shumë i rëndësishëm financimi për ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Rritja e tyre po mbështetet në emigrimin e vazhdueshëm nga këto vende, kryesisht drejt vendeve të Europës Perëndimore. Kërkesat në rritje nga tregu europian i punës po thithin vazhdimisht profesionistë nga këto vende, sidomos mes të rinjve. Kjo sjell si efekt afatshkurtër pozitiv një rritje të remitancave, por në afat të gjatë emigracioni i të rinjve po kthehet gradualisht në një problem për ekonominë e këtyre vendeve.

Scroll to Top