Bardhi: Largimi i Belinda Ballukut shënon fillimin e një kapitulli të ri, jo përrallat e Ramës
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të GJKKO, duke e cilësuar atë si një ditë pozitive për luftën kundër korrupsionit, për llogaridhënien dhe transparencën.
Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi theksoi se qytetarët e dëmtuar nga taksat e vjedhura janë fituesit e kësaj beteje. Ai shtoi se humbësit e mëdhenj janë Edi Rama, Belinda Balluku dhe mbështetësit e tyre në Kuvend, të cilët, sipas tij, nuk treguan kurrë përgjegjësi dhe moral, duke tentuar të mbrojnë aferat dhe të pengojnë drejtësinë.
Postimi i plotë:
“Sot është një ditë e mirë për luftën ndaj korrupsionit, për llogaridhënien dhe transparencën. Të fituar janë qytetarët e dëmtuar në taksat e tyre të vjedhura, të fituar janë ata që luftuan e denoncuan. Të humburit e mëdhenj janë Edi Rama e Belinda Balluku, dhe duartrokitësit e tyre në Kuvend, të cilët humbën rastin për të treguar se janë në nivelin e qytetarëve të vendit. Ata në asnjë moment nuk manifestuan përgjegjësi dhe moral. Madje tentuan me forcë të mbrojnë aferat e të mbanin me thonj postin për të penguar drejtësinë. Dhe sot u turpëruan.
Ky i sotmi është një hap i mirë. Por drejtësia për abuzimet qindra milioneshe në vendin më të varfër të Europës, për krimet elektorale, për mbajtjen e pushtetit me dhunë, për lidhjet me krimin, ka ende rrugë përpara për të bërë. Ne do të qëndrojmë deri në fund, derisa shqiptarët të çlirohen nga këta uzurpatorë të korruptuar.
Shkarkimi i menjëhershëm i Belinda Ballukut dhe dorëheqja e Edi Ramës, janë e vetmja rrugë për të çliruar Shqipërinë nga sistemi i korruptuar qeverisës që është ndërtuar në këto 12 vite.”
