Gjykata e Posaçme ka pezulluar nga detyra zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe i ka bllokuar pasaportën.
Me një vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Belinda Balluku është pezulluar nga posti i zëvendëskryeministres dhe i është ndaluar dalja jashtë territorit të Shqipërisë.
Një burim nga BIRN ka bërë të ditur: “Me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur masën e sigurimit personal ndalim i ushtrimit të detyrës dhe ndalim i daljes jashtë shtetit ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.”
Po i njëjti burim shtoi se “Po ashtu, janë caktuar masa sigurimi personal edhe ndaj dy personave të tjerë që janë nën hetim.”
Gjykata e Posaçme ka sqaruar se, për shkak se masat e sigurimit kanë karakter sekret, në këtë moment nuk ka një njoftim zyrtar për të ndarë me median dhe publikun. “Në momentin e duhur procedural, do të njoftoheni zyrtarisht nga ana e gjykatës,” theksoi Gjykata.
Dy javë më parë, Balluku u mor e pandehur nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera gjatë procesit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë. SPAK e akuzon se ka kontrolluar çdo hap të një projekti me vlerë rreth 190 milionë euro dhe se ka paracaktuar fituesin në kundërshtim me kriteret standarde të prokurimit publik për një nga projektet më të shtrenjta të infrastrukturës në pesë vitet e fundit.
Gjatë seancës parlamentare të së mërkurës, Balluku deklaroi se akuzat ndaj saj ishin të pabaza. “Më duhet të them disa fjalë, jo për të kompensuar baltën, aludimet, gjysmë të vërtetat dhe gënjeshtrat e thëna me bollëk këto kohë, por për detyrimin që kam ndaj kujtdo që beson te puna dhe jo te balta,” – tha ajo nga foltorja e Kuvendit, ku po prezantohej projekt-buxheti i qeverisë.
Edhe kryeministri Rama i doli në krah zëvendëses së tij, pasi opozita kërkoi dorëheqjen e saj për akuzat e rënda me të cilat ajo përballet. “Po bëni prokurorinë popullore…”, u tha kryeministri deputetëve të opozitës.
Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Edi Ramës në vitin 2019 si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe prej më shumë se pesë vitesh drejton portofolin më të madh qeveritar. Ajo është gjithashtu zyrtarja më e lartë që përballet aktualisht me akuza penale nga SPAK, pas një serie bashkëpunëtorësh të ngushtë të kryeministrit që kanë humbur postet e tyre për shkak të hetimeve, përfshirë Arben Ahmetajn, ish-zv.kryeministër, Erion Veliajn, kryebashkiak i Tiranës, Ilir Beqajn, ish-ministër i Shëndetësisë, dhe më herët Saimir Tahirin, ish-ministër i Brendshëm.