Gjykata e Posaçme pezullon nga detyra zv.kryeministren Belinda Balluku dhe e ndalon të dalë jashtë vendit. “Arrest shtëpie” për 2 drejtorë
Gjykata e Posaçme ka vendosur dy masa sigurie për Belinda Ballukun: pezullim nga ushtrimi i detyrës dhe funksionit si zv. Kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ndalim i daljes jashtë vendit. Këto masa u shpallën pasditen e djeshme.
Vendimin e ka marrë gjyqtari Erion Çela, pas kërkesës së prokurorit Dritan Prençi, i cili akuzon për shkelje të barazisë në tendera.
Sipas burimeve të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, akuzat ndaj zv.kryeministres Balluku lidhen me rastet e tunelit të Llogarasë dhe lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë.
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit janë urdhëruar të vënë në dijeni zv.kryeministren Belinda Balluku për masat e dhëna nga Gjykata e Posaçme.
Përveç masave ndaj Ballukut, burime jozyrtare raportojnë se janë vendosur dy masa sigurie “arrest në shtëpi” për dy funksionarë të tjerë: Erald Elezi, kreu i KESH, dhe Gentian Gjyli, kreu i ARRSH.
Belinda Balluku ka shkuar paraditen e kësaj të enjteje në Kryeministri. Numri dy i qeverisë ka mbërritur në ambientet e Kryeministrisë pak pasi u bë publike lajmi se Gjykata e Posaçme ka vendosur pezullimin e saj nga detyra e zv.Kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, nën akuzën për shkelje të barazisë në tendera lidhur me tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe në Tiranë.
