Sali Berisha pas dëshmisë 2-orëshe në SPAK për 21 Janarin: Dritaret e mia u goditën me gurë, Basha dhe komandanti i Gardës më erdhën në zyrë dhe më thanë të ikja, por qëndrova
Sali Berisha ka dalë nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku u paraqit për t’u pyetur lidhur me ngjarjen e 21 Janarit, ku në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u vranë katër protestues.
Në deklaratën e tij për mediat jashtë SPAK, kreu i PD-së u shpreh se Edi Rama, për shkak të “epsheve të pushtetit të tij”, organizoi një nga protestat më të dhunshme në historinë e vendit. “Jam pyetur se çfarë ndodhi më 21 janar. Kjo mosftesë flet më shumë se çdo gjë tjetër, sepse kjo mosftesë kishte të bënte vetëm me faktin se Edi Rama organizoi për epshet e pushtetit të tij, protestën më të dhunshme në historinë e vendit,” tha Berisha.
Ai shtoi se autoritetet ndërkombëtare dhe qeveria e SHBA-së kanë deklaruar se më 21 janar, PS kishte axhendë dhune. “Ta marrin vesh ata, pra kishte axhendë dhune. Kjo është e vërteta. Pikërisht kjo deklaratë është bërë shkak që të mos thirrem unë për t’u pyetur për një ngjarje dramatike, që u kushtoi jetën 4 demonstruesve, plagosjen e mbi 120 policëve, etj.”
Lideri i opozitës, i pyetur nga gazetarët, mohoi që ditën e protestës të jetë dhënë urdhër për të hapur zjarr drejt qytetarëve. Berisha tha se ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, i kishin shkuar në zyrë atë ditë, për t’i kërkuar që të largohej nga godina e Kryeministrisë. “Absolutisht asnjë urdhër. Asnjë urdhër nuk është dhënë për të qëlluar. Asnjë urdhër dhe kurrë. Nuk mund të jepet urdhër. Po, Basha ka ardhur në zyrën time dhe ka kërkuar nga unë, sepse ishin thyer xhamat me plumba apo me gurë, tek dritarja ngjitur me tavolinën time dhe ministri, komandanti i Gardës kanë ardhur dhe më kanë thënë të evakuojmë, jo i thashë. Sepse unë isha jashtë me ambasadoren gjermane dhe u futa drejt e në zyrë. Unë isha në detyrë.”
Berisha theksoi se Kryeministri nuk mund të bëjë zyrat sipas qejfit, pasi është institucion kushtetues. “Kjo ka qenë kërkesa e tyre dhe unë kam qëndruar në zyrë deri në fund. Aty ka pasur një ndërmjetësim ndërkombëtar. Ka ndërmjetësuar ambasadori i SHBA-së dhe çdo oficer i kërkuar nga prokuroria është paraqitur në prokurori, por në ndjekje të lirë sepse Edi Rama dhe Ina Rama kërkonin që të eliminonin zinxhirin e komandës në një kohë kur Edi Rama kishte deklaruar se, beteja tjetër do të ishte vendimtare dhe secili nga gardistët e thirrur janë paraqitur në prokurori. Të gjitha të tjerat janë mashtrime.”
Ai ka hedhur dritë lidhur me pyetjet që i janë bërë gjatë dy orëve nga prokurori i posaçëm, Alfred Shehu, duke theksuar se ai ka respektuar ligjin dhe se në asnjë moment nuk ka dhënë urdhër për të hapur zjarr në drejtim të protestuesve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha iu kthye ashpër gazetares Klodiana Lala, duke vënë në dyshim punën e saj. “Absolutisht gënjeshtër me bisht kjo që thua. Jo nga brenda, të shtënat janë të gjitha, merr filmimet, ushtarët e gardës kanë qëlluar. Jo nga brenda. Korrigjoje këtë njëherë. Korrigjimi është tjetër. The një gënjeshtër, nuk është qëlluar nga brenda kryeministrisë. Është qëlluar nga vendrojet. Ta them unë tani. Tani, apo po bën punën e tyre apo tënden. Do flas unë, të jemi korrekt, jo të dizinformimi. Është qëlluar nga vendrojet e gardës, pikë.”
Berisha bëri me dije se Shehu e pyeti dhe sa i përket takimit të ministrit të Brendshëm të kohës, Lulzim Bashës me presidentin Bamir Topi. Sipas Berishës, prokurorët kanë marrë indicie nga libri i ish-presidentit Topi, i cili mes rreshtave ka cituar dhe këtë takim me Bashën. “Lulzim Basha e ka takuar të nesërmen mos gabojë për të ndërhyrë te Ina Rama që të zbusë masën ndaj oficerëve të gardës, gjë e cila është teorikisht e pamundur që unë të dërgoja njeri te Bamir Topi që ishte një nga organizatorët që priste zgjatjen e mandatit nga Edi Rama. E morën nga Libri, më thanë që e morëm nga libri. Por nga ana tjetër Basha nuk e kishte të ndaluar, s’kishte asnjë direktivë të kryeministrit që të mos komunikonte me presidentin. Këtë pasazh nuk e di e ka deklaruar ministri i brendshëm, por e kishin marrë nga nokturni i Bamir Topit. Se paska shkruar dhe një libër Topi, mos i bëjmë dhe reklamë librit të tij.”
I pyetur nga gazetarët sa i përket audiopërgjimit të depozituar nga familjarët e Aleks Nikës, një prej protestuesve të vrarë më 21 Janar, ish-kryeministri pretendon se ajo është e manipuluar dhe se fakti që është dorëzuar pas një periudhe kohe relativisht të gjatë vë në dyshim autencitetin e saj. “Të falsifikosh një zë është gjëja më e thjeshtë. Janë hetuar në autencitet të plotë jo zëra të njerëzve të thjeshtë por edhe deri te presidentë të SHBA, Barack Obamës. Këto janë çështje të cilat nuk kanë asnjë lloj… Një urdhër i dalë pas 13 vitesh, një Alizot i dalë pas 13 vitesh. Si mund të besoj një audio të dorëzuar pas 12 vitesh?”
Kryetari i PD, Sali Berisha u pyet nga gazetarët, pasi doli nga SPAK, se pse pas 21 janarit, ish-komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi doli me syrin e nxirë. Berisha mbrojti ish-drejtuesin e Gardës duke theksuar se atë ditë Ndrea Prendi ka përmbushur detyrimet ligjore. “Ndrea Prendi ka qenë në detyrë gjithë ditën, ka bërë të pamundurën për të përmbushur detyrimet ligjore. Atë urdhër s’e ka dhënë njeri, është në mendjen tuaj dhe të atyre që trillojnë.”
