Berisha: Lubia iku, Rama kërkon të shpëtojë prej saj!

Berisha: Lubia iku ashtu si erdhi, Rama kërkon të shpëtojë sa më shpejt prej saj!

Pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga funksionet të zv/kryeministres Belinda Balluku, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Në një postim në rrjetet sociale, Berisha shprehet se disa ditë më parë, kur dëgjoi se prokuroria do të kërkonte pezullimin nga detyra të Ballukut, nuk e besoi.

“Ky lajm mu duk thashethem dhe nuk e besova. Madje, nuk e besova as pasi Rama në fjalën e tij i thoshte Belindës ‘duaje fatin tënd’, mbasi territorët e drejtësisë janë të ndara me territorët e PS. Pas kësaj deklarate që Rama e bëri vetëm për Lubinë, nuk kisha më asnjë dyshim se ai tashmë donte të shpëtonte sa më shpejt prej saj, mbasi ai dhe Lubia ngjisnin si: ‘keni parë s’keni parë, shkon një i vdekur me të gjallë'”, shkruan Berisha.

Në postimin e plotë, ai vijon:

“Lubia iku ashtu si erdhi! Kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar!

Miq, disa ditë më parë dëgjova se nga prokuroria do të kërkohej dhe do të vendosej pezullimi nga detyra i Lubi Ballukut. Ky lajm mu duk thashethem dhe nuk e besova. Madje, nuk e besova as pasi Rama në fjalën e tij i thoshte Belindës ‘duaje fatin tënd’, mbasi territorët e drejtësisë janë të ndara me territorët e PS. Pas kësaj deklarate që Rama e bëri vetëm për Lubinë, nuk kisha më asnjë dyshim se ai tashmë donte të shpëtonte sa më shpejt prej saj, mbasi ai dhe Lubia ngjisnin si: ‘keni parë s’keni parë, shkon një i vdekur me të gjallë.’

Por, ndonëse e di se Edi Rama në të gjithë qenien e tij çnjerëzore, nuk besoj se do zgjidhte formën më poshtëruese për të larë hesapet me njeriun që prej 25 vitesh kishte ndarë çdo gëzim dhe hidhërim dhe që e kishte bashkëpunëtore lojale në çdo vjedhje. E vërteta është se dokumenta të pakundërshtueshme tregojnë se nuk ishte ai që hante fiq dhe kumbulla pas shpinës së Lubisë.

Me të drejtë pyetja: pse Rama nuk i kërkoi Lubisë dorëheqjen, që do t’i jepte edhe ndonjë pikë? Pse ai nuk e shkarkoi siç i takonte, në rast se refuzonte dorëheqjen, por zgjodhi trajtimin e saj sikur të ishte magazinierja e Këshillit të Ministrave?

Përgjigjja është vetëm një: atij nuk ia mbante! Nuk ia mbante sepse në dy afëra të mëdha, tunelin e Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës, iniciator e vendimmarrës i vërtetë është Rama dhe jo Lubia. Por a shpëtoi Rama me këtë akt makabër ndaj bashkëpunëtores së tij më të afërt? Jo dhe jo!”

Scroll to Top