Kremlini mohon ekzistencën e një plani SHBA-Rusi për paqen në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi të enjten se “nuk po zhvillohen aktualisht konsultime” me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë. Deklaratat e tij erdhën pas raportimeve në media të ndryshme për ekzistencën e një plani të tillë.
“Sigurisht që ka kontakte, por nuk po zhvillohen procese që mund të quhen konsultime”, u shpreh Peskov për gazetarët gjatë një konference telefonike, ndërkohë që qarkullonin raportime rreth një propozimi të ri SHBA-Rusi.
Peskov përsëriti se “nuk kemi asgjë të re për të shtuar në atë që u tha në Anchorage” në gusht, ku u zhvillua takimi mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Ai theksoi se Rusia “mbetet e hapur” për t’i dhënë fund operacionit ushtarak, por shtoi se “zgjidhja duhet të çojë në eliminimin e shkaqeve rrënjësore të këtij konflikti”.
