Mbledhja e Qeverisë Anulohet: Problemi i Drejtimit

Mbledhja e qeverisë e planifikuar për të premten është anuluar për shkak të mungesës së drejtuesit.

Vendimi i Gjykatës së Posaçme për Belinda Ballukun ka sjellë ndryshime në axhendën e qeverisë për të premten. Sipas informacioneve të siguruara nga Lapsi.al, mbledhja, e cila ishte parashikuar të mbahej në orën 9:00, është anuluar.

Arsyeja kryesore e anulimit është fakti se nuk ka një person të caktuar për ta drejtuar atë. Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në të njëjtën orë në një event me Komisioneren e BE-së, Marta Kos, ndërsa Belinda Balluku është pezulluar nga detyra.

Lapsi.al mëson se deri në këtë moment nuk është caktuar asnjë datë apo orë tjetër për zhvillimin e mbledhjes së qeverisë. Në mungesë të Edi Ramës, mbledhjet zakonisht drejtoheshin nga Belinda Balluku.

Mbetet e paqartë çfarë do të ndodhë me fatin e saj, nëse ajo do të shkarkohet nga detyra gjatë një mbledhje qeverie si zëvendëskryeministre, apo nëse do të pritet vendimi i Apelit të Gjykatës së Posaçme lidhur me masën e sigurisë.

Mediat pranë qeverisë, pasditen e sotme, kanë filluar të përhapin një variant sipas të cilit Balluku e konsideron antikushtetuese masën e vendosur nga gjykata, pasi sipas saj, ajo nuk mund të pezullohet nga detyra.

Scroll to Top