Takim Rama-Balluku: Pretendimet për pezullim nga detyra

5 orë në Kryeministri: Zbulohet pretendimi i Belinda Ballukut

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku zhvilloi një takim të gjatë, që zgjati mbi 5 orë, në selinë e Kryeministrisë me kreun e qeverisë, Edi Rama. Pavarësisht hamendësimeve të shumta që qarkulluan, së fundmi po përvijohet një skenar lidhur me çështjen në fjalë.

Rama dhe Balluku diskutuan gjerësisht mënyrat se si të adresohet masa e vendosur nga Gjykata e Posaçme për “pezullim nga detyra” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit”, të cilat tashmë janë ekzekutuar.

Në mbështetje të tyre, u thirr edhe ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, aktualisht kryetar i Komisionit të Ligjeve. Sipas raportimeve në mediat pranë qeverisë, Balluku ka pretenduar se pezullimi nga funksionet që kishte është bërë në kundërshtim me Kushtetutën.

Ajo argumentoi se një vendim i tillë nuk mund të merret nga kjo gjykatë, por vetëm nga Gjykata Kushtetuese, pasi posti i zëvendëskryeministrit është i përcaktuar në Kushtetutë.

Ende nuk dihet nëse kjo do të jetë linja e saj e mbrojtjes, pasi Kodi i Procedurës Penale, në nenin 242, pika 2, parashikon se masa e pezullimit nga detyra mund të merret ndaj çdo funksionari publik, “përveç atyre të zgjedhurve sipas Kodit Elektoral”. Kjo do të thotë se ligji përjashton vetëm personat e zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, siç janë deputetët dhe kryetarët e bashkive, të cilët nuk mund të pezullohen nga gjykatat.

Balluku është marrë e pandehur nga SPAK, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera” në rastin e tunelit të Llogarasë dhe në tenderimin e lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Scroll to Top