Vjosa në pikën kritike: Rritet niveli i ujit në Urën e Mifolit
Siç ishte parashikuar, prurjet në Vjosë nga reshjet intensive janë shtuar, duke përmbytur toka bujqësore. Qindra hektarë tokë bujqësore në Çerven dhe Kashisht janë nën ujë, ndërsa Vjosa arriti pikun e saj këtë të enjte, në 7.1 metra mbi nivelin e detit.
30 efektivë të Forcave të Armatosura, me pompa thithëse dhe varka, u pozicionuan pranë Çervenit për të ndërhyrë në rast përkeqësimi të situatës.
Kreu i Emergjencave Civile, Haki Cako, teksa monitoroi Urën e Mifolit, tha se janë evakuuar disa familje pranë shtratit të lumit. Ndërkohë, vërshimi i ujit në kanalin kryesor kullues ka çuar në dëmtimin e argjinaturës në Tale, duke rrezikuar banorët e shtatë fshatrave.
Për shkak të reshjeve me intensitet të lartë, është dëmtuar edhe segmenti rrugor Rrëshen–Bukmirë në Bashkinë e Mirditës. Shembjet në disa pjesë të rrugës rrezikojnë bllokimin e qarkullimit për banorët e zonës. Ekipet e emergjencës po punojnë për të evituar izolimin e fshatrave.
