Vijojnë sulmet ruse në Ukrainë, 5 viktima dhe 3 të plagosur në Zaporizhia
Sulmet ruse vranë të paktën pesë persona dhe plagosën tre të tjerë të enjten në mbrëmje në Zaporizhia, në jug të Ukrainës, njoftoi guvernatori rajonal Ivan Fedorov nëpërmjet platformës Telegram.
Fotografitë e publikuara nga guvernatori rajonal tregojnë ndërtesa të përfshira nga flakët dhe rrugë të mbushura me mbeturina.
Më herët, Fedorov kishte paralajmëruar për një sulm rus me bomba.
Shërbimi ukrainas i situatave të emergjencës dha të njëjtën deklaratë nëpërmjet Telegram: “Më 20 nëntor në orën 22:10, forcat ruse sulmuan Zaporizhian.”
Sipas informacioneve paraprake, pesë persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën. Dyqane tregtare dhe një automjet u përfshinë nga flakët.
