Humbjet e konsiderueshme, Turkish Airlines vendos të shesë aksionet te Air Albania
Bordi drejtues i Turkish Airlines njoftoi të mërkurën investitorët se do të shesë të gjitha aksionet e saj në kompaninë ajrore shqiptare, Air Albania.
“Bordi ynë i drejtorëve ka vendosur të shesë të gjitha aksionet në Air Albania SHPK, ku kompania jonë zotëron një përqindje prej 49%,” thuhet në një deklaratë të Turkish Airlines. Kompania shtoi se çdo zhvillim material lidhur me këtë vendim do t’u komunikohet investitorëve.
Air Albania u themelua në vitin 2018 me mbështetjen e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, me investitorë Turkish Airlines, MDN Investments dhe Albcontrol. Turkish Airlines zotëron 49% të aksioneve, MDN Investments 41% dhe Albcontrol 10%. Albcontrol është një kompani shtetërore shqiptare, ndërsa MDN Investments kontrollohet nga biznesmeni Sinan Idrizi dhe vajzat e tij.
Sipas raportit financiar të Turkish Airlines për 9-mujorin e vitit 2025, Air Albania ka akumuluar rreth 50 milionë dollarë borxhe të pashlyera ndaj kompanisë mëmë. Raporti thekson se në vitin 2025, Turkish Airlines kishte rreth 41 milionë dollarë të arkëtueshme afatshkurtra dhe 12 milionë dollarë të arkëtueshme afatgjata nga Air Albania. Ndërkohë, të ardhurat e Air Albania ishin rreth 2 milionë dollarë, ndërsa humbjet arritën në 3 milionë dollarë gjatë 9 muajve të parë të vitit 2025.
Në pasqyrat e konsoliduara për periudhën deri më 30 shtator 2025, Air Albania paraqitet në një gjendje të brishtë financiare, duke u varur ngushtësisht nga mbështetja e Turkish Airlines. Kompania ajrore shqiptare vijon të ketë kapital negativ dhe humbjet e saj nuk pasqyrohen më në bilancin e Turkish Airlines që nga viti 2019, pasi tejkalojnë pjesën që i takon grupit në sipërmarrjen e përbashkët.
Detyrimet e Air Albania ndaj Turkish Airlines, duke përfshirë të arkëtueshmet afatshkurtra, afatgjata dhe detyrime të tjera tregtare, mbeten të larta, duke çuar ekspozimin total financiar në mbi 50 milionë dollarë.
Air Albania gjeneron shumë pak të ardhura për Turkish Airlines dhe nuk raporton fitim, duke treguar një model operativ që mbështetet te financimi dhe infrastruktura e partnerit turk, ndërkohë që vetë është themeluar mbi baza financiare të dobëta dhe me perspektivë të pasigurt për qëndrueshmëri afatgjatë.
Megjithë humbjet e konsiderueshme financiare, për vite me radhë Air Albania ka subvencionuar përdorimin e një avioni Airbus A319, të konfiguracionit VIP, nga kryeministri Edi Rama, bazuar në një marrëveshje kuadër. Përdorimi i këtij avioni dhe shpenzimet për operimin e tij kanë qenë burim akuzash nga opozita, e cila ka kërkuar ngritjen e një komisioni parlamentar, por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga mazhoranca.
Para shitjes së aksioneve të Air Albania, Turkish Airlines, nëpërmjet një marrëveshje të nënshkruar më 20 tetor në Ankara, ka vendosur t’ia dhurojë Forcave të Armatosura Shqiptare avionin Airbus A319 që më parë është përdorur nga kryeministri shqiptar. Ky avion, edhe pse ka 26 vite moshë, ka një vlerë të përcaktuar në marrëveshje prej 11.9 milionë euro dhe do t’i transferohet Forcave të Armatosura Shqiptare.