Gjykata jep mbi 107 vjet burg për grupin e Gëzim Çelës, të njohur si “Baroni i drogës”
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK, ka shpallur fajtorë të premten më 21 nëntor Gëzim Çelën, i njohur si “Baroni i drogës”, bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Arlind Ismajlukaj, si dhe 11 anëtarë të tjerë të organizatës kriminale të drejtuar prej tyre.
Trupi gjykues, i përbërë nga Elsa Ulliri, Rudina Palloj dhe Erjon Bani, e ka shpallur fajtor Gëzim Çelën për trafikim narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal. Ai është dënuar me 15 vjet burgim, të cilat, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar (reduktim 1/3), janë ulur në 10 vjet heqje lirie.
Bashkëpunëtori i tij, Arlind Ismajlukaj, është dënuar me 14 vjet burgim, të cilat, pas gjykimit të shkurtuar, bëhen 9 vjet e 4 muaj burgim.
Nerim Çela është dënuar me 12 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar është 8 vjet e 4 muaj burgim.
Anëtarët e tjerë të organizatës, Armando Mema, Dritan Metaj, Ben Dalipaj, Besnik Brokeri, Alekt Deda, Selami Lushkaj, Armando Papa, Ksenofon Bodo, Kyrylo Ponomarenko, Kostiantyn Biellon, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar secili me nga 12 vjet burgim. Pas gjykimit të shkurtuar, dënimi i tyre reduktohet në 8 vjet heqje lirie.
Dritan Metaj ka mbajtur më parë pozicionin e shefit të Komisarit të Policisë në Laç.
Të pandehurit janë dënuar për veprat penale të mëposhtme:
- “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
- “Grupi i strukturuar kriminal”.
- “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Sipas SPAK, është provuar se të pandehurit, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Gëzim Çelaj dhe Arlind Ismajlukaj, kanë marrë përsipër organizimin dhe trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike në të paktën dy raste.
Rastet e identifikuar janë:
- Ngjarja e datës 31 Mars 2023, ku në rrugën nacionale Tiranë-Fushë Krujë u sekuestrua një sasi prej 41 kg heroinë.
- Ngjarja e datës 14 Gusht 2023, ku u tentua trafikimi i sasive të mëdha të lëndëve narkotike nëpërmjet detit, duke përdorur mjete lundruese. Ky operacion policor njihet si ‘Flakë në det’.
Paralelisht me procedimin penal, është filluar edhe hetimi pasuror. Me dy vendime të tetorit 2023 dhe marsit 2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur sekuestrimin e pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal, duke përfshirë:
- Një bar-restorant në Laç dhe subjektin për ushtrimin e këtij aktiviteti.
- Tre pasuri të paluajtshme me vlerë mbi 400 mijë euro.
- Gjashtë automjete të markave të ndryshme.
- Tre mjete lundruese tip gomone.
- Shumën monetare prej 102 mijë euro dhe afro 7 milionë lekë.
- Një subjekt me të gjitha asetet e tij, përfshirë pasuri të paluajtshme e luajtshme, llogari bankare dhe 10 automjete.