Ministri i Drejtësisë thërret drejtorët e burgjeve në Fier: Garantoni sigurinë!
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilloi një vizitë inspektuese në ambientet e IEVP Fier, ku pati gjithashtu një takim me të gjithë drejtuesit e burgjeve të vendit. Qëllimi i takimit ishte diskutimi i ecurisë së punës në sistemin penitenciar, garantimi i sigurisë, kushtet, si dhe përpjekjet për rritjen e standardeve në trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Në fillim të fjalës së tij, ministri Lamallari theksoi lajmin e mirë se me buxhetin e ri do të kryhet indeksimi i pagave për të gjithë punonjësit e sistemit të burgjeve, si dhe do të ketë rritje të pagave për personelin shëndetësor në IEVP-të tona. Konkretisht, do të ketë një shtesë prej 12.000 lekësh për mjekët dhe 55.000 lekësh për infermierët. Ai shtoi se, për vetë natyrën e vështirë të punës së tyre, vëmendja e qeverisë për policinë dhe stafin e burgjeve nuk ka munguar dhe nuk do të mungojë.
Lamallari e vlerësoi me rëndësi të veçantë sistemin e burgjeve dhe kërkoi nga drejtuesit angazhim maksimal për të ruajtur e forcuar parametrat e sigurisë dhe për të parandaluar futjen e sendeve të paligjshme.
Mes çështjeve të tjera të trajtuara në takim ishte edhe mbyllja e IEVP Bënçë, Tepelenë. Ministri i Drejtësisë theksoi se kjo ishte një vendimmarrje e pashmangshme, duke marrë parasysh kushtet e papranueshme të trajtimit dhe sigurisë që kishte ai burg. Lamallari përmendi gjithashtu raportin dhe rekomandimet e Komisionit Evropian për Parandalimin e Torturës në Këshillin e Evropës, të cilat vlerësonin se ky burg nuk përmbushte kushtet minimale.
„Vendimmarrja ishte e fortë, por e drejtë”, tha ministri i Drejtësisë, duke shtuar nevojën që sistemi i burgjeve të përshtatet me pritshmëritë dhe kërkesat ndaj një vendi që ndodhet në tryezën e negociatave me Bashkimin Evropian.
Pavarsësisht këtij vendimi, Lamallari tha se punonjësve të IEVP Bënçë u është dhënë mundësia të vazhdojnë të shërbejnë brenda sistemit të burgjeve në të gjithë vendin, duke filluar me Fierin, të cilin e kanë edhe më afër, me transport falas të garantuar. Disa prej punonjësve tashmë e kanë kryer transferimin.
Në vijim të takimit, ministri Lamallari përmendi masterplanin e burgjeve, i cili synon të sjellë një transformim në të gjithë sistemin e menaxhimit të këtij sektori delikat. „Ne duhet të kemi një sistem të ngjashëm me standardet e BE për trajtimin e të burgosurve”, u shpreh ministri Lamallari, duke përmendur gjithashtu takimin me homologun e tij italian, Carlo Nordio, të cilit i kërkoi mbështetje për sistemin e burgjeve përmes projekteve të ndryshme teknologjike dhe rehabilituese.
