Shqiptari i arrestuar në Greqi, i akuzuar për trafikim të 500 kg kokainë
Një 39-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia greke pasi ishte shpallur në kërkim dhe ndaj tij ishte lëshuar një urdhër ndërkombëtar arresti për llogari të Belgjikës.
Policia greke njoftoi se i arrestuari është Osmen Hoxha, banues në Qendër të Fierit. Mediat greke informojnë se arrestimi i tij u krye nga oficerë policie të Nëndrejtorisë së Narkotikëve të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar të policisë greke.
Urdhër-arresti kishte të bënte me përfshirjen e Hoxhës në një organizatë kriminale me seli në Belgjikë, e cila dyshohet se është aktive në:
- Importimin e sasive të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në vendet evropiane.
- Kultivimin e plantacioneve të marijuanës.
- Funksionimin e impianteve të përpunimit dhe riformulimit të drogës jashtë vendit.
Bëhet fjalë për një aksion ku në muajin shtator 2024, në portin e Antëerp të Belgjikës, u sekuestrua një kontejner që përmbante 500 kilogramë kokainë.
Shqiptari i arrestuar është dërguar në Prokurorinë Publike kompetente, ku është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa hetimi për rastin vazhdon.
