Belinda Balluku, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, e cila është pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO-së, ka dalë nga ambientet e gjykatës, ku u paraqit për verifikimin e masave të sigurisë të caktuara ndaj saj. Seanca është shtyrë me dy orë.
Belinda Balluku mbërriti rreth orës 08:50 dhe doli pas më shumë se gjysmë ore, rreth orës 09:40. Ajo gjithashtu ka përforcuar ekipin e saj ligjor. Krahas motrës së saj, Pamela Qirko, ekipit të saj iu është shtuar edhe Ardian Kalia, ish-gjyqtar.
Në GJKKO janë paraqitur edhe kreu i KESH, Erald Elezi dhe ai i ARRSH, Gentian Gjyli.
Gjykata e Posaçme ka lëshuar dy masa sigurie “arrest në shtëpi” për dy vartësit e Ballukut. Ndërsa për zv.kryeministren, gjykata vendosi ndalim daljeje jashtë vendit si dhe pezullim nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Balluku u pezullua nga detyra pasi u mor e pandehur për tenderin me vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht. Ajo dyshohet gjithashtu edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.
Çështja për Ballukun ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese, ndërsa asaj i është hequr e drejta e firmës nga qeveria.
