Berisha drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kërkon heqjen e detyrimit paraqitje

Berisha i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kërkon heqjen e masës “detyrim paraqitje”

Sali Berisha i është drejtuar sërish Gjykatës Kushtetuese. Sipas raportimeve, më 20 nëntor, Berisha ka dorëzuar një kërkesë në këtë gjykatë, me anë të së cilës kërkon shfuqizimin, pra heqjen, të masës së detyrimit për t’u paraqitur. Kjo masë, sipas vendimit të apelit të datës 3 janar 2025, po zbatohet prej pothuajse një viti.

Rrjedhimisht, Berisha kërkon që kjo masë të shpallet antikushtetuese. Menjëherë pas dorëzimit të kërkesës, është hedhur shorti në Gjykatën Kushtetuese dhe është caktuar si relatore Fjona Papajorgji.

Në Gjykatën Kushtetuese ndodhet edhe një kërkesë e mëparshme e ish-kryeministrit, i cili është nën akuzë nga SPAK për korrupsion. Padia për shpalljen antikushtetuese të caktimit të arrestit shtëpiak, e cila më vonë u shfuqizua, do të shqyrtohet më 17 dhjetor, në orën dhjetë.

Njëkohësisht, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar datën edhe për kërkesën e Jamarbër Malltezit, dhëndërr i ish-kryeministrit Berisha. Seanca plenare, siç është njoftuar, do të mbahet më 15 janar 2026.

Malltezi rikthehet në Gjykatën Kushtetuese me një kërkesë për shfuqizimin, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të vendimeve:

  • nr. 400, datë 30.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  • nr. 172 (87-2024-248), datë 13.09.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
  • nr. 00-2024-2076, datë 17.12.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (njoftuar në datën 24.02.2025).

Këto vendime lidhen me masën e sigurisë ndaj Malltezit, ndaj të cilit janë ngritur akuza nga SPAK dhe aktualisht është nën gjykim.

Scroll to Top