Pyjet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në flakë, Irani kërkon ndihmë të huaj
Irani ka kërkuar urgjentisht ndihmë ndërkombëtare për të shuar një zjarr të madh që prej ditësh po shkatërron pyjet e mbrojtura në veri të vendit.
Zjarri, i cili fillimisht u shfaq në fillim të muajit dhe u shua për pak kohë, është rindezur më 15 nëntor, sipas agjencisë shtetërore IRNA.
Bëhet fjalë për një kompleks pyjor që shtrihet rreth 1,000 kilometra përgjatë brigjeve të Detit Kaspik, duke përfshirë territore edhe në Azerbajxhan. Këto pyje janë vlerësuar si “unikale” nga UNESCO për shkak të moshës së tyre, të vlerësuar në 25–50 milionë vjet, dhe biodiversitetit të jashtëzakonshëm, me mbi 3,200 lloje bimësh të regjistruara.
Zëvendësi i Presidentit iranian, Mohammad Jafar Ghaempanah, njoftoi në platformën X se vendi ka hasur vështirësi në frenimin e përhapjes së flakëve dhe ekziston një rrezik serioz për dëmtimin e zonave të tjera pyjore.
“Përballë pamundësisë për të përmbajtur zjarrin dhe për të parandaluar përhapjen e tij në pyjet përreth, Irani ka kërkuar ndihmë urgjente nga vendet mike,” shkroi Ghaempanah.
Ekipet vendase të zjarrfikësve dhe vullnetarët kanë punuar pa ndërprerje për ditë të tëra, por terreni malor dhe kushtet atmosferike të paqëndrueshme kanë vështirësuar operacionet e shuarjes.
Nuk është bërë ende e ditur se cilat vende kanë ofruar ndihmë dhe çfarë ndihme specifike kërkohet. Megjithatë, autoritetet iraniane paralajmërojnë se çdo vonesë rrit rrezikun e dëmeve të pakthyeshme në këtë pasuri natyrore të rrallë.
