“Nëse zhytem unë, zhytesh edhe ti”
Gaz Bardhi: Rama peng i të pandehurës Balluku
Sa herë Edi Rama citon juristë të mëdhenj, kuptohet menjëherë se ai ndodhet në një hall të madh. Kjo për arsye se e vetmja “njohuri juridike” që zotëron në të vërtetë, është se si të mbrojë korrupsionin e paimagjinueshëm të qeverisjes së tij.
Reagimi i Edi Ramës, i mbështetur mbi figurën e Robert H. Jackson, nuk është asgjë më shumë sesa një përpjekje e dështuar për të shpëtuar nga përgjegjësia politike dhe ligjore, që bie drejtpërdrejt mbi të dhe mbi krahun e tij të djathtë, të pandehurën Belinda Balluku.
Kryeministri i Shqipërisë citon fjalimin e një prej arkitektëve të akuzës së Nurembergut për të krijuar idenë se prokuroria në Shqipëri po abuzon me pushtetin. Por ka një problem thelbësor: Edi Rama nuk ka luksin t’i japë askujt leksione për standardet e drejtësisë, kur mban akoma pranë tij një politikane të pandehur nga SPAK.
Në Europë, të cilën ai gjithmonë e keqpërdor:
- një ministër që shpallet i pandehur, dorëhiqet.
- kryeministri nuk e mbron, por e shkarkon.
- asnjë udhëheqës demokratik nuk bën propagandë filozofike për të relativizuar akuzat kundër qeverisë së tij.
Asnjë fjalim, i kujtdo qoftë, nuk mund ta ndryshojë këtë fakt: Në asnjë vend të Europës nuk qëndron në detyrë një person i pandehur. Dhe në asnjë vend të Europës kryeministri nuk bën fushatë kundër vendimit të gjykatës.
Nëse Rama do të ishte vërtet nxënës i bindur i mësimeve të Robert Jacksonit, atëherë:
- nuk do të mbante të pandehurën Belinda Balluku zyrtarisht pjesë të qeverisë.
- nuk do të përdorte gjuhën e viktimizimit kundër drejtësisë.
- nuk do të bënte avokatinë e një zv/kryeministreje të akuzuar për abuzim me tenderat.
Përpjekja për t’u fshehur pas fjalimeve nuk e ndryshon dot këtë të vërtetë, por për pjesën më të madhe të njerëzve është bërë e qartë se Edi Rama nuk ka lirinë për të vepruar ndryshe. Në këtë mungesë lirie, të diktuar nga korrupsioni i përbashkët me të pandehurit e pushtetit të tij personal, Edi Rama është bërë krejt i parashikueshëm: dje bënte protesta para SPAK-ut për Erion Veliajn, sot proteston nga Facebook-u me leksione filozofie mbi drejtësinë.
Nga “ulërimat politike” tek “meditimet juridike”, skenari është i njëjtë — një kryeministër që bën show për të shpëtuar nga pengmarrja.
Filozofitë me juristë të shquar apo meditimet juridiko-jetësore që ka nisur të postojë, nuk e fshehin dot faktin e vetëm real: ai është peng i të pandehurës Belinda Balluku. Sepse kjo është formula e vetme që funksionon brenda sistemit korruptiv të Edi Ramës: “nëse zhytem unë, zhytesh edhe ti”.
Dhe diçka e fundit. Pushteti që citon Jacksonin, por mohon drejtësinë, nuk është i denjë. Edi Rama është një i korruptuar i frikësuar.
