Lagjja e re e Ishmit strehon vetëm një familje, probleme

Lagjja e re në Ishëm strehon vetëm një familje

Pasi lë pas fshatin Lalëz dhe i drejtohet qendrës së njësisë së Ishmit, udhëtari vë në dukje një lagje të re, të ndërtuar kohët e fundit. 49 banesat njëkatëshe, me arkitekturë të ngjashme dhe të vendosura larg njëra-tjetrës, janë ngritur pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019.

Në këtë qytezë të vogël aktualisht banon vetëm një familje, ajo e Agim Muharremit, një mësues letërsie në pension, së bashku me familjen e të birit. “Shtëpia ku banoja dikur nuk u rindërtua pas tërmetit dhe, në kushtet e vështira ku ndodheshim, nuk mund të prisja më,” shprehet Agim Muharremi për BIRN.

Lagjja e re, e cila ende nuk është populluar plotësisht, nuk ka energji elektrike dhe mungojnë sistemet e kanalizimeve. Megjithatë, familjet me shtëpi të dëmtuara rëndë në fshatrat përreth hezitojnë ta banojnë atë. Agimi tregon se banesa ku jeton është e ndërtuar mirë, ndërsa në shtëpitë e tjera pranë saj kanë filluar të shfaqen njollat e lagështirës, “si të gjitha shtëpitë e pabanuara,” shton ai.

Kadri Gjyli, i cili drejtoi njësinë administrative të Ishmit gjatë periudhës së rindërtimit, tha për BIRN se lagjja e re në Lalëz u realizua me financimin e një shoqate shqiptaro-amerikane. “Së shpejti do të organizohet tenderi dhe firma fituese do të realizojë të gjitha punimet e nevojshme, duke filluar nga sistemi i kanalizimeve dhe i energjisë elektrike, deri te ndërtimi i qendrës shëndetësore,” tha Gjyli.

Ai shtoi se, krahas banorëve të rinj që pritet të popullojnë lagjen e sapondërtuar në Lalëz, 22 familje të tjera nga Ishmi do të vendosen në pallatet e ngritura në Porto Romano të Durrësit, dhe disa të tjera në Manëz. Gjyli thekson se janë kryer punime të mira edhe për rindërtimin e shkollave dhe qendrave shëndetësore. “Dy shkolla në fshatra funksionojnë normalisht, ndërsa e njëjta gjë pritet edhe për shkollën e mesme në qendër.”

Tërmeti i 26 nëntorit 2019 preku rëndë 9 fshatrat e njësisë administrative të Ishmit, të cilat ndodhen pranë epiqendrës së lëkundjeve sizmike. Programi i rindërtimit parashikoi ngritjen e 330 shtëpive të reja në të gjithë territorin e njësisë. Shumica janë ndërtuar në oborret e shtëpive të vjetra, ndërsa janë hasur vështirësi në rastet e banesave të largëta nga rrugët, apo në ato 3-4 katëshe që kërkonin përforcim, sqaroi ish-administratori Gjyli.

“270 familje janë sistemuar në shtëpitë e reja, duke i mobiluar ato me shpenzimet e tyre ose të shoqatave bamirëse,” tha për BIRN kryetari i shoqatës “Ishmi”, Isuf Shehu. Familjet nga Ishmi që janë transferuar prej kohësh në Durrës apo Tiranë kontribuuan që në ditët e para pas tërmetit. “Anëtarët e shoqatës ‘Ishmi’, mjaft prej të cilëve banorë të zonës, bashkëpunuan me pushtetin vendor dhe me fondacionet humanitare,” shtoi Isufi. Sipas tij, ishmakët që kanë emigruar në vende të ndryshme të botës kanë qenë një mbështetje e madhe për familjet e tyre.

“Gjysmën e shpenzimeve për punimet brenda shtëpisë së re i mbuloi djali im, që jeton në Francë,” tha Qaniu, banor i Bizës.

Genc Shehi, pedagog në një nga universitetet e vendit, shkoi për herë të parë në Ishëm pak ditë pas tërmetit. Ai vazhdon të vizitojë fshatrat që ndodhen 30 km në veri të qytetit të Durrësit, duke ofruar mbështetje shpirtërore dhe materiale. “Këto ditë shkuam për të tërhequr një kontenier që për pesë vite radhazi shërbeu si banesë për një familje në Gjuricaj,” tha Genci për BIRN, duke shpjeguar se kontenieri do të ndihmojë tani një familje me probleme në Xhafzotaj. “Zoti me një dorë të jep, e me tjetrën të pret,” shtoi ai, duke kujtuar ditët e vështira të mbijetesës së familjeve ishmake menjëherë pas tërmetit.

Familja e Agimit, e vetmja që është strehuar në banesat e Lalzit, ka edhe një shqetësim tjetër. “Jo vetëm unë, por edhe bashkëfshatarët e mi e kemi këtë shqetësim,” thekson ai. “Trualli i lagjes së re në Lalëz është argjilor dhe në të ardhmen mund të rrëshqasë, duke përfunduar të gjitha shtëpitë poshtë në liqen,” përfundon ish-mësuesi.

Scroll to Top