Merz kundër propozimit të Trump për Ukrainën: Është e papranueshme të përfshihen fondet e ngrira ruse brenda BE-së
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, e ka konsideruar “të papranueshëm” planin e propozuar nga Shtetet e Bashkuara për përdorimin e kapitaleve ruse të “bllokuara” në Bashkimin Europian. Ai gjithashtu hodhi poshtë propozimin për një kontribut shtesë prej 100 miliardë dollarësh nga Europa.
Megjithatë, Merz shprehu shpresën për një përparim në bisedimet e ardhshme në Gjenevë, duke theksuar se përgjegjësia për sulmet hibride të fundit ndaj infrastrukturës evropiane bie mbi Rusinë.
Duke folur në një intervistë për televizionin publik ARD, Merz u shpreh prerë: “Kjo është e papranueshme”, duke iu referuar propozimit amerikan që 100 miliardë dollarë nga pasuritë ruse të sekuestruara në Evropë të përdoren për rindërtimin dhe investimet në Ukrainë nën kontrollin amerikan. Ky plan parashikonte që SHBA të përfitonin 50% të fitimeve të mundshme, ndërsa Bashkimi Europian do të kontribuonte me 100 miliardë dollarë shtesë.
Merz theksoi se këto pika të planit “nuk mund të zbatohen pa miratimin tonë”. Ai sqaroi se aktualisht diskutohet vetëm mundësia e përdorimit të këtyre aseteve si hua. “Nëse jepet kjo hua, ajo do të garantohet nga Bashkimi Europian dhe më pas do t’i jepet Ukrainës si garanci, për të vazhduar blerjen e armëve. Por kjo nuk ndikon drejtpërdrejt tek amerikanët. Prandaj, ata nuk mund të kenë akses në këtë shumë,” shtoi ai. Ai gjithashtu nënvizoi se “kërkesa për shtimin e 100 miliardëve të tjerë nga Europa nuk është diçka që mund ta pranojmë”.
Megjithatë, Merz shprehu optimizëm për bisedimet që do të mbahen në Gjenevë, ku diskutohen edhe ndryshimet e propozuara nga europianët. Ai shpreson që disa pika të planit amerikan të përshtaten në mënyrë të pranueshme për të gjitha palët. Ai gjithashtu përmendi një propozim të tijin, pa dhënë detaje shtesë.
“Nuk mund dhe nuk dua të parashikoj negociatat që po zhvillohen tani në Gjenevë, por është e rëndësishme që tani të ketë përparim,” përfundoi ai.
