Merz kundër planit të SHBA-së për Ukrainën

Merz: Plani i SHBA-së për Ukrainën është i papranueshëm

Kancelari gjerman Friedrich Merz e ka cilësuar si “të papranueshëm” planet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përdorur fondet e ngrira ruse në Bashkimin Evropian. Ai gjithashtu ka hedhur poshtë propozimin për shtimin e 100 miliardë dollarëve të tjerë nga ana evropiane.

Megjithatë, Merz ka shprehur shpresën për arritjen e një përparimi në negociatat në Gjenevë, duke fajësuar Rusinë për sulmet hibride të fundit ndaj infrastrukturës evropiane.

“Kjo është e papranueshme,” ka thënë kancelari në një intervistë për transmetuesin publik ARD, duke iu referuar propozimit amerikan për të kanalizuar 100 miliardë dollarë nga asetet ruse të sekuestruara në Evropë drejt Ukrainës për rindërtim dhe investime, nën kontrollin e SHBA-së. Ky plan parashikonte që SHBA të përfitonte 50% të çdo fitimi të mundshëm.

Plani amerikan përfshinte gjithashtu një kërkesë që BE të kontribuonte me 100 miliardë dollarë shtesë për rindërtimin e Ukrainës.

“Këto janë pjesë të planit që sigurisht nuk mund të zbatohen pa miratimin tonë,” ka theksuar Merz. Ai shtoi se diskutimet aktuale përqendrohen në përdorimin e aseteve si kredi. “Nëse kjo kredi jepet, ajo do të garantohet nga Bashkimi Evropian dhe më pas do t’i jepet Ukrainës si kolateral, në mënyrë që ajo të mund të vazhdojë të blejë armë. Por kjo nuk është diçka që prek drejtpërdrejt amerikanët. Pra, sigurisht, amerikanët nuk mund të kenë qasje në këtë shumë,” ka shpjeguar ai, duke shtuar se “kërkesa për të shtuar edhe 100 miliardë nga Evropa nuk është diçka që mund ta pranojmë.”

“Nuk mund dhe nuk dua të paragjykoj negociatat që po zhvillohen aktualisht në Gjenevë, por është e rëndësishme që të arrihet përparim tani,” ka nënvizuar ai.

I pyetur se pse evropianët nuk kanë më shumë peshë në këto negociata, kancelari gjerman argumentoi se Evropa duhet ta kishte mbështetur Ukrainën shumë më herët dhe shumë më intensivisht. “Ne bëmë shumë pak, shumë vonë. Duhej të kishim bërë më shumë dhe më shpejt,” ka pohuar Merz.

Merz gjithashtu theksoi se “çdo ditë shohim sulme hibride nga Rusia” dhe përsëriti se Moska po përpiqet të shkatërrojë të gjithë rendin politik të kontinentit evropian.

“Ne shohim sulme hibride çdo ditë – në infrastrukturën tonë, në rrjetet tona të të dhënave. Ka pasur edhe akte sabotimi: i fundit që pamë në Poloni, i cili synonte një lidhje të rëndësishme hekurudhore, tregon qartë përfshirjen ruse,” ka vënë në dukje kancelari gjerman.

Scroll to Top